Bankat e Kosovës: Jemi stabile

Prishtinë – Tri bankat më të mëdha në Kosovë, “ProCredit Bank”, “Raiffaisen Bank” dhe “TEB” nuk kanë frikë se borxhlinjtë e tyre mund të shpresojnë në kriza financiare dhe të mos i kthejnë kreditë. Ato deklarojnë se përkundrazi, nuk ka tendenca të moskthimit të kredive edhe pse kriza financiare është duke përfshirë me të madhe tregun bankar nëpër botë.

Ato thonë se kriza financiare nuk i ka prekur aspak, ngase nuk kanë investuar në tregjet ndërkombëtare. Krejt këto vlerësime jepen në kohën kur vetëm këtyre tri bankave kosovarët u kanë borxh mbi 800 milionë euro.

Portfolio i kredive në “Raiffaisen Bank” është 411 milionë euro, në “ProCredit Bank” 430 milionë, kurse “TEB”-i ka lëshuar 25 milionë euro kredi për një kohë të shkurtër.

Zyrtarët e këtyre tri bankave thonë se trendi i kthimit të kredive nuk është zvogëluar. Këto banka bile planifikojnë që të rrisin edhe investimet, duke treguar se nuk janë prekur aspak nga krizat financiare. Para pak ditësh ekonomistët kosovarë patën vlerësuar se Banka Qendrore e Kosovës dhe institucionet financiare të Kosovës duhet të diskutojnë efektet e krizës financiare në bankat komerciale, në mënyrë që të mos ndodhë ngritja e normave të interesit. Mirëpo udhëheqësit e bankave kanë thënë se nuk ka aspak rrezik për ta, ngase ata s’kanë investuar në tregjet e jashtme.

“Raiffaisen Bank” rrit portfolion e kredive

“Raiffaisen Bank” e ka mohuar të ketë humbur mjete në bursë gjatë muajit tetor, ku edhe kanë ndodhur bankrotimet më të mëdha financiare të bankave, duke filluar në SHBA e më pas edhe nëpër vendet e tjera të botës.

“Duke e pasur parasysh se Kosova nuk është e ekspozuar në tregjet e jashtme financiare, “Raiffeisen Bank” në Kosovë nuk ka humbur mjete në bursë”, ka thënë zëdhënësi i “Raiffaisen Bank”, Asdren Rrahmani.

Ai tha se përkundrazi, “Raiffaisen Bank” ka pasur rritje të vazhdueshme të depozitave. “Raiffeisen Bank” në Kosovë ka një kapital prej 44 milionë eurosh dhe prejse ka filluar punën e saj në Kosovë ka pasur rritje të vazhdueshme të depozitave dhe kredive. Kjo rritje ka vazhduar edhe gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Rrahmani. Sa i përket të ashtuquajturave “kredi të këqija”, ai shtoi se “Raiffeisen Bank” ka një përqindje shumë të ulët të këtyre kredive. “Nuk vërejmë ndonjë tendencë për të mos i kthyer kreditë si rezultat i krizave financiare”, ka thënë Rrahmani.

Deri më 30 qershor 2008, portfolio e kredive në “Raiffaisen Bank”, sipas Rrahmanit, është rritur për 20.2 për qind nga 342 milionë euro, në 411 milionë. “Edhe depozitat po ashtu kanë shënuar një rritje të vazhdueshme duke paraqitur kështu një rritje prej 14.66 për qind, nga 396 milionë euro sa ishin në 2007 në 454 milionë tani. Ndërsa totali i aseteve ishte 547 milionë euro, një rritje prej 14.8 për qind në krahasim me fundvitin 2007”, ka treguar Rrahmani. Sa i përket ndryshimit të politikave bankare, Rrahmani ka thënë se “Raiffeisen Bank” vazhdon të jetë mjaft e vëmendshme në shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për kredi për të analizuar sa më mirë mundësinë e kthimit të kredive nga aplikuesit.

“ProCredit” – 430 milionë kredi, 564 milionë depozita

Edhe zyrtarët e “ProCredit Bank“ në Kosovë thonë se gjatë këtyre muajve nuk është vërejtur aspak tendenca e moskthimit të kredive. “Përkundrazi, kthimi i kredive nga klientët vazhdon me të njëjtat ritme të rregullta si më parë”, ka bërë të ditur Fitore Sinani nga zyra për informim e “ProCredit Bank”. Ajo tha se vendimi i tyre për dhënien apo jo të kredisë kurrsesi nuk bazohet në hipotekën që klienti e ofron për ta siguruar kredinë, por bazohet në mundësit financiare të klientit për kthim të kredisë. “Kjo mundëson që banka në mënyrë të sigurt të menaxhojë depozitat e klientëve që kanë besuar kursimet e tyre tek ne”, ka thënë Sinani. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj banke, momentalisht portfolio aktive e kredisë kap shumë prej 430 milionë euro. Ajo ka shtuar se “ProCredit Bank” është duke mundësuar lejimin e kredive vetëm për klientët të cilët kanë kapacitet të shëndoshë financiar për ta kthyer kredinë. “Në këtë mënyrë, “ProCredit Bank” menaxhon në mënyrë shumë të sigurt depozitat e klientëve, të cilët ia besojnë kursimet e tyre bankës sonë”, ka thënë Sinani. Ajo tha se edhe depozitat e bankës janë rritur në 564 milionë euro.

“TEB”-i planifikon zgjerimin e investimeve

Banka, e cila është hapur tash së fundi, “TEB-Bank” për një kohë të shkurtër ka dhënë 25 milionë euro kredi për klientët kosovarë. Ata janë zotuar se krizat globale nuk e kanë prekur as këtë bankë. “Megjithatë, në nivel ndërkombëtar bashkëpronari i bankës sonë, “BNP Paribas”, gjatë kësaj krize është bërë një nga tri bankat më të fuqishme në botë dhe banka e parë në Eurozonë me depozita”, ka thënë Alp Yilmaz, drejtor i përgjithshëm i “TEB Sh. A.”, që është në bashkëpronësi me “BNP Paribas”. Sipas tij, ky pozicion “TEB-it” në Kosovë i jep besim që të rrisim investimet në Kosovë, duke hapur tetë degë të reja. Ai tha se në “TEB” gjatë kësaj kohe nuk ka pasur tendenca të moskthimit të kredive nga klientët e tyre.

“Të gjitha kreditë e bankës tonë janë dhënë me procedura strikte që garantojnë kthimin e tyre në kohë. Pra, nuk ka as ndryshim të politikave”, ka thënë Ylmaz. Nga një komunikatë e lëshuar më herët për media nga kjo bankë është mësuar se “BNP Paribas” ka realizuar profit prej 1.5 miliardë euro, që tregon se grupi është duke u mbajtur mirë, me gjithë krizën e tashme financiare.

Marrur nga Koha Ditore (Autori: Arbana Xharra)