TIRANË, 19 Dhjetor 2003 – Banka Raiffeisen e Austrisë fitoi tenderin për blerjen e Bankës Shqiptare të Kursimeve, me një çmim të ofruar prej 95 milionë dollarë. Burime zyrtare nga qeveria shqiptare konfirmuan se shitja e Bankës së Kursimeve është bërë më shumë sesa ishte parashikuar nga qeveria. Por më vonë do të bëhet publikë edhe çmimi që i kishte vendosur qeveria shqiptare kësaj banke. Zarfat u hapën në mbledhjen e bërë pardje në mbrëmje pas shumë shtyrjesh të njëpasnjëshme. Bankat e ofruara për privatizimin e Bankës së Kursimeve, ishin banka hungareze OTP dhe Raiffeisen e Austrisë. Në 20 Tetor të këtij viti të dyja këto banka bënë kërkesën zyrtare për parakualifikim dhe tre-katër ditë më pas Komisioni i Vlerësimit i kualifikoi të dyja, duke i hapur kështu rrugën proçesit të vëzhgimit nga afër të situatës financiare të bankës.
Zarfi i bankës hungareze OTP nuk u hap pasi u panë parregullsi në dokumentacion. Ndër blerjet më të suksesshme të Raiffeisen janë në vitin 2000 blerja e Market Banka në Bosnjë-Hercegovinë, në 2001 blerja e HPB dhe Banka Agricola, dhe në vitin 2002 blerja e Bankës Amerikane së Kosovës.
Sot Raiffeisen zë 25.5% të tregut bankar austriak, zotëron 28.2% të depozitave, 22.1% të kredive dhe 28.9% të fondeve të menaxhuara. Në 30 qershor 2003 pasuria totale e saj ishte 50.453 milionë euro, fitimi para tatimit ishte 165.9 milionë euro dhe raporti të ardhura/shpenzime 70.9%.
ECIKS / Gazeta Shqiptare