Banka Evropiane e Investimeve mundëson kredi për Kosovën

Banka Evropiane e Investimeve ka marrë vendim politik që të mundësojë dhënien e kredive edhe Kosovës përkundër statusit të padefinuar. Këtë e konfirmoi nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve – i ngarkuar me Ballkan Gerlando Genuardi i cili tha se aktualisht po punohet në qartësimin e aspektit legal te këtij vendimi.

Prishtinë, 22 prill 2005 – Banka Evropiane po konsultohet me zyrën ligjore të UNMIK-ut rreth detyrimeve qe dalin nga kredia e mundshme dhënë Kosovës. “Nëse ne aktualisht japim kredi UNMIK-ut, ndërsa vjen momenti që administrata të largohet nga Kosova, në dëshirojmë të dimë se çfarë do të ndodhë me detyrimet nga kontrata e kredisë. Thënë shkurt, dëshirojmë të dimë se kush do na e paguajë borxhin”, u shpreh nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve.

Rezultati i konsultimeve në raportin Banka Evropiane – UNMIK duhet të formalizohet shumë shpejtë, pohon Geraldo Genuardi dhe se kjo mund të bëhet për disa javë. Në fazën e parë të fillimit të implementimit të kredive nga Banka Evropiane investimeve, sipas të gjitha gjasave do të përfiton sektori privat, përkatësisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Do të jetë kjo hera e parë që Banka Evropiane e Investimeve jep kredi një vendit pa status. Vendet e Ballkanit perëndimor kanë përfituar në kredi nga kjo bankë, ndërsa nga viti 2.000 e deri më sot, vendeve të rajonit – pa Kosovën i është dhënë nga ky burim 1.1 miliardë euro.

ECIKS / RTKLive