Banka Botërore vazhdon ndihmën ndaj Kosovës

Prishtinë, 7 mars 2006 – Banka Botërore është shumë e interesuar që të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në sferën ekonomike, tha sot përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Kantan Shankar gjatë një takimi me kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

”Ne po shikojmë mundësitë e vazhdimit të aktivitetit tonë në Kosovë. Do të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë në mënyrë që t’i përmbushim objektivat të cilat kanë për qëllim zhvillimin ekonomik“, ka thënë Shankar.

Kryetari Sejdiu u fokusua në të njëjtën çështje, duke thënë se përcaktimi i statusit do të ndikonte në një qasje më të madhe të projekteve vendore që do të përkraheshin nga ana e këtij institucioni të rëndësishëm financiar.

“Aq më tepër kur me përcaktimin e statusit do të mundësohet një qasje edhe më e drejtpërdrejtë sikur që e kanë vendet sovrane. Mendoj se këto punë dhe këto pjesë të projekteve që këta i kanë punuar kanë një qasje shumë serioze. Ne do të vazhdojmë bashkëpunim dhe me qeverinë veçanërisht dhe jemi këtu së bashku“, ka thënë presidenti Sejdiu.

Ai më tutje tha se projektet e Bankës duhet të fokusohen kryesisht në sektorin e energjetikës, por nuk do të lihen anash as sektorët tjerë të interesit të përgjithshëm, siç janë arsimi, shëndetësia dhe fushat tjera.

ECIKS / RTK