Banka Botërore financon dy projekte në vlerë 20 milionë USD

Përmes një marrëveshje të nënshkruar në Prishtinë, Qeveria e Kosovës do të përfitojë nga Banka Botërore (BB) 20 milionë dollarë për realizimin e 2 projekteve.

Njëri projekt i Bankës Botërore është në vlerë prej 12.3 milionë dollarë dhe ka të bëjë me regjistrimin e pasurive të patundshme dhe kadastrën në Kosovë, ndërsa projekti tjetër në vlerë prej 8 milionë dollarësh ka të bëjë me administratën publike që synon modernizimin e sektorit publik.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.

Implementimi i këtyre marrëveshjeve, sipas Thaçit, do të ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritjen e mëtutjeshme ekonomike dhe forcimin e institucioneve publike.

Nga ana tjetër drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Nayak ka thënë se qëllimi i këtij projekti, është që të vendosë bazën për projekte bujqësore në të ardhmen, të vendos gurthemelin për tregun e pronave dhe të përgatisë Kosovën për investime serioze.

Këto dy marrëveshje, do të mundësojnë përmirësimin e menaxhimit të financave publike në të gjitha nivelet, si dhe do të mbështesin zhvillimin e sektorit të bujqësisë, sidomos trajtimin e të drejtës pronësore.

ECIKS