Autostrada: nis shpronësimi në segmentin Vërmicë-Prizren

Qeveria e vendit miratoi të enjten Propozim-vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme në segmentin Vërmicë-Prizren, nëpër të cilat parashikohet të ndërtohet autostrada Vërmicë – Merdar. Qeveria paralajmëroi se fillimi i punimeve në këtë projekt gjigant është vetëm çështje ditësh.

Në mbledhjen e rregullt të Ekzekutivit, kryeministri Hashim Thaçi saktësoi se të gjitha dokumentet ligjore janë përgatitur nga dikasteret qeveritare dhe për shpronësimin e pronave nga kalon autostrada janë ndarë 12 milionë euro.

Zv.kryeministri Hajredin Kuçi theksoi se shpronësimi i ngastrave kadastrale është pjesë parapërgatitore për fillimin e punimeve në autostradë. “Unë besoj se Ministria e Transportit është duke e udhëhequr mirë procesin dhe në përputhje me kërkesat tona. Unë besoj se është çështje ditësh kur do të fillojnë punimet në autostradë. Dhe kur flasim për ditë, me siguri se ky projekt nuk do të kalojë në vitin tjetër, por brenda këtij viti”, tha Kuçi, transmeton KosovaLive.

Edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Ahmet Shala, tha se nga kjo ministri janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të kompensuar pronat e paluajtshme të qytetarëve, ndërsa mbetet që Komuna e Prizrenit të fillojë procedurat për shpronësim.

Ai bëri të ditur se më 13 tetor është caktuar një dëgjimi publik, ku qytetarët mund të informohen rreth procedurave ligjore për kompensim.

Gazeta Express