Autostrada Durrës-Kukës kushton 500 milionë euro

Tiranë, 8 tetor 2006 – Konsorciumi amerikano-turk “Bechtel&Enka” do të ndërtojë për 418 milionë euro segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Drejtoresha e përgjithshme e rrugëve nënshkroi, në emër të qeverisë shqiptare, me përfaqësuesit e kompanisë amerikane “Bechtel”, Charles Redman dhe asaj turke, “Enka”, Ozger Inal, kontratën për ndërtimin e autostradës me katër korsi dhe me një tunel gjashtë kilometra të gjatë. Me nënshkrimin e djeshëm ndërtimi i kësaj autostrade bëhet kështu projekti më i kushtueshëm i të gjitha kohërave në Shqipëri. Në total të tri segmentet e autostradës Durrës-Kukës do të kushtojnë rreth 500 milionë euro. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge do të financohen me fonde të qeverisë shqiptare dhe me kredi të institucioneve ndërkombëtare.

Gjatë nënshkrimit të kontratës ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, si dhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Marci Ries dhe ambasadori i Turqisë, Suphan Erkula.

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se projekti është vlerësuar nga konsulenca ndërkombëtare me fizibilitet ekonomik, duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kohën e udhëtimit në segmentin Durrës-Morinë, nga një mesatare prej 6 orësh e 10 minutash në një mesatare prej 2 orësh.

“Ky projekt, i cili lidh Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë, Serbinë Jugore dhe rrjetin trans-evropian të rrugëve, do të përmirësojë situatën ekonomike të zonave nga kalon, do të stimulojë turizmin, ndërtimin dhe shërbimet, si dhe do të përmirësojë pozicionin konkurrues të Portit të Durrësit”, tha Basha. Ministri u shpreh se rruga do të ndërtohet sipas parametrave të një shpejtësie mesatare prej 100-120 km/orë, ndërsa ndërtimi i kësaj vepre do të gjenerojë vende pune për të paktën 1400 shqiptarë, dhe i tërë projekti do të jetë gati në qershor të vitit 2009.

Presidenti i kompanisë amerikane “Bechtel”, Charles Redman, u shpreh se kompania ushtron aktivitetet në këtë fushë prej 118 vitesh. Kjo kompani ka ndërtuar rreth 22 mijë projekte në 140 vende, ndër të cilat tunelin e La Manshit, i cili lidh brigjet e Francës me të Britanisë, aeroportin e Hong Kongut etj. Ndërsa kompani turke, “Enka” është më e madhja në sektorin turk të ndërtimit dhe shquhet në fushën e ndërtimit të TEC-ve, urave, rrugëve etj.

Për projektin e ndërtimit të autostradës Durrës-Prishtinë, nga ana e Kosovës ende nuk ka përfunduar as faza e fizibilitetit. Në Ministrinë e Transporteve kanë deklaruar se nga ana kosovare do të kushtojë rreth 920 milionë euro.

ECIKS / Express