Prishtinë, 21 prill 2006 – Kompania fituese e tenderit për privatizimin e “Ferronikelit”, pas një sërë shtyrjesh disa mujore, “Alferon” ka nënshkruar më në fund kontratën për blerjen e gjigantit të njohur kosovar dhe i ka paguar Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) shumën prej 29.5 milionë euro, duke u bërë edhe përfundimisht pronar legjitim.
Sipas një njoftimi nga Zyra për informim e Shtyllës IV të UNMIK-ut thuhet se kompania angleze më herët për “Ferronikelin” ka paguar një shumë paraprake prej 1 milion euro, ndërsa me shumën e shtuar dje ka përfunduar pagesën për blerjen e gjigantit të njohur kosovar me bazë në Drenas.
Ceremonia formale e dorëzimit të “Ferronikelit” te kompania fituese e tenderit do të bëhet të martën më 2 maj.
Blerjen e “Ferronikelit” e ka përshëndetur shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli.
Ruecker tha se përfundimi me sukses i privatizimit të “Ferronikelit” do të ndikojë pozitivisht në investimet e huaja në Kosovë.
“Kosova është një shoqëri stabile dhe e matur, gjë të cilën e mirëpresin investuesit e huaj,”tha ai.
Ministri Dugolli, njëherësh nënkryetar i Bordit të AKM-së, tha se privatizimi do të krijojë mundësinë e hapjes së mijëra vendeve të lira të punës dhe do të ndihmojë njerëzit t’i kthehen punës.
Johannes Sittard, drejtues i kompanisë “Alferon” tha se nënshkrimi i kontratës së sotme paraqet një fazë të gjatë të suksesit që do të ketë në marrëdhëniet mes “Ferronikelit”, “Alferon”-it, punëtorëve dhe komuniteteve tjera.
“Ferronikeli” përfshin dizajnin për prodhimin e 12.000 tonë nikel nga 13.8 milionë tonë sa mendohet të jenë rezervat.
Në bazë të kontratës, kompania “Alferon”, vitin e parë duhet të investojë 5 milionë euro, vitin e dytë 10 milionë euro dhe vitin e tretë obligohet të investojë edhe 5 milionë euro tjera. Po ashtu në gjashtëmujorin e parë është zotuar që të punësojë 500 punëtorë dhe deri në fund, për tri vite do të arrijë të punësojë 1.000 punëtorë.
Deri më tash afati i pagesës për “Ferronikelin” kompanisë angleze i ishte shtyrë disa herë për shkak se “Alferon” kishte kërkuar të arrijë një marrëveshje me KEK-un që të furnizohet me rregull me energji elektrike. Kjo marrëveshje ishte arritur në fillim të muajit mars të këtij viti.
ECIKS / Kosovapress