Prishtinë, 22 qershor 2004 – Është cinizëm të bisedohet që komunat të përpiqen t’i tërheqin investitorët derisa nuk janë pronarë të pasurive ku do të mund të investohej”, – ka komentuar Ismet Beqiri, kryetar i KK të Prishtinës, kërkesën e AKM-së që komunat të ofrojnë kushte për investuesit.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pas një sërë diskutimesh nuk ka arritur të bindë Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit që t’u kthejë tokat komunave kosovare të cilat momentalisht janë në pronësi shoqërore. Qëndrimi më i fundit i Zyrës Ligjore të UNMIK-ut është se komunat mund të marrin disa prona shoqërore për destinim në interes të përgjithshëm. Ky ka qenë rezultati në takimin katërorësh në Ferizaj, ndërmjet kryetarëve dhe kryeshefave të shumicës së komunave të Kosovës dhe përfaqësuesve të AKM-së. Takimi rezultoi vetëm me pajtimin e dyanshëm që të formohet një grup punues i përbashkët për të diskutuar më tej çështjen, por të dyja palët nuk lëvizën për asnjë hap nga qëndrimet e tyre. Udhëheqësit e komunave këmbëngulën që pronat shoqërore, ose pjesë të tyre të pashfrytëzuara, t’u kthehen pronarëve të mëparshëm, ndërsa AKM-ja mbeti në qëndrimin se kthim fizik të pronave nuk do të ketë kurrë. “Në të gjitha vendet e lindjes, ku është bërë kthimi fizik i pronave, ka pasuar konflikte, prandaj kjo nuk duhet të ndodhë në Kosovë. Nuk do të ketë kthim masiv të pronave, por në raste të veçuara”, – ka sqaruar zëvendësdrejtori i AKM-së, Ahmet Shala. Përfaqësuesit e AKM-së, mbështetur në qëndrimet e fundit të UNMIK-ut, u kanë kërkuar komunave që të bëjnë planin e ndërtimit të objekteve me interes publik, t’i bëjnë kërkesë AKM-së për këmbimin e tokave, ose për kompensimin e tyre. Komuna mund ta blejë tokën nga AKM-ja, kundrejt një çmimi të tregut, jo gjithmonë me para në dorë, por me këmbim ose duke kompensuar me ndërtimin e infrastrukturës në lokacionin për të cilin bëhet kërkesa.
Komisionet përkatëse më tej do të caktonin vlerën e pronës dhe kushtet e shfrytëzimit të saj, kanë sqaruar ata. Kryetarët dhe kryeshefat e komunave nuk janë pajtuar me këtë qëndrim të UNMIK-ut. Ata e kanë quajtur të pakuptimtë që të blihen tokat ose objektet të cilat u përkisnin kuvendeve komunale. “Është e padiskutueshme që pronat shoqërore duhet t’u kthehen komunave, si dhe ndërmarrjet që janë themeluar nga kuvendet komunale. Pallati i Rinisë dhe Sporteve është ndërtuar me djersën e banorëve të Prishtinës dhe nuk duhet lënë në mëshirën e askujt. Është cinizëm të bisedohet që komunat të përpiqen t’i tërheqin investitorët derisa nuk janë pronarë të pasurive ku do të mund të investohej”, – ka komentuar Ismet Beqiri, kryetar i KK të Prishtinës, kërkesën e AKM-së që komunat të ofrojnë kushte për investuesit. Përfaqësuesit e komunës së Kastriotit, Klinës, Vitisë, Gjilanit, Dardanës, Lipjanit dhe të Ferizajt e kanë quajtur të pakuptimtë faktin që komunat nuk kanë më hapësirë as për të varrosur qytetarët e tyre. “Në të kaluarën, kur nuk mund të sillej asnjë vendim, formoheshin komisione për ta zvarritur çështjen”, – ka thënë me humor Ahmet Shala i AKM-së, duke sugjeruar formimin e një grupi punues, i cili, megjithatë, do të bënte diçka brenda mundësive dhe limiteve të rregulloreve në fuqi dhe kompetencave që ka AKM-ja. Për të mos dalë pa asnjë rezultat, së paku formal, takimi i AKK-së me AKM-në vendosi vërtet formimin e grupit të përzier, i cili brenda një muaji do të shikojë nëse do të mund të lëvizet nga vendnumërimi në çështjen e pronave.
“Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim në kthimin e pronave pa kompensim ose me një kompensim simbolik. Këmbimi i pronave është jo shumë i përshtatshëm ngaqë komunat nuk kanë shumë prona, ose i kanë të tilla që nuk vlejnë shumë, ndërsa kompensimi me çmimin e tregut është krejtësisht i papërshtatshëm për shkak të mundësive të kufizuara buxhetore”, – tha në fund të diskutimeve kryetari i komunës së Ferizajt, Adem Salihaj, njëherësh kryetar i komisionit për pronat në AKK.
ECIKS / Biznesi