AKKK prezanton punen e saj

Prishtinë, 13 shkurt 2008 — Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë (AKKK) ka dërguar në prokuroritë e Kosovës 47 raste korruptive të pranuara nga qytetarët e Kosovës. Gjashtëmbëdhjetë prej informatave të materializuara janë duke u hetuar nga prokuroria. Në një vjetorin e themelimit të kësaj agjencie, drejtues të saj kanë thënë se pas shumë telefonatave të pranuara nga qytetarët janë pranuar 124 informata korruptive. Hasan Preteni, drejtor i AKKK-së, ka thënë se në mungesë të fakteve janë ndaluar 61, ndërsa që nën hetime të mëtutjeshme nga prokuroria janë 16 raste nën dyshimin për korrupsion.

Nga 47 rastet e dërguara në Prokurori, agjencia brenda dhjetë ditësh është njoftuar se 6 prej rasteve nuk janë duke u hetuar, pesë prej të cilave, sipas Pretenit, kanë të bëjnë me vetë gjyqësorin, ndërsa që njëra me një zyrtar të pushtetit lokal.

Ai thotë se janë habitur me këtë rast, kur prokuroria në afat rekord prej dhjetë ditësh ka njoftuar agjencinë për këto 6 raste se nuk do të nisë procedurë hetimore. Rastet korruptive të paraqitura në prokurori, sipas drejtuesve të AKKK-së, kanë rezultuar me mosdëmtimin e buxhetit të Kosovës në vlerë prej 30 milionë eurosh. “Vlera e përgjithshme pas secilës informatë të dërguar në prokurori është 30 milionë euro, e që rezulton me dëmtimin e buxhetit të Kosovës”, thotë ai. Sipas tij, janë vërejtur shumë shkelje dhe abuzime me Ligjin e prokurimit publik nga zyrtarët e qeverisë së kaluar. AKKK-ja ka ndërmarrë veprime konkrete në fushën e korrupsionit, duke rekomanduar anulimin e disa tenderëve vlera e parallogaritur e të cilëve është rreth 7 milionë. Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë vlerësuan se gjatë vitit 2007 ata kanë kryer me sukses punën e tyre, por që pjesa tjetër është përgjegjësi e prokurorisë. Ata kanë treguar se një ndër problemet kryesore me të cilat janë ballafaquar është mosbashkëpunimi i mirë me Prokurorinë Publike. Gjatë vitit 2007, zyrtarë të agjencisë kanë thënë se është rritur numri i rasteve të korruptuara që janë paraqitur në AKKK nga qytetarët dhe se dëmet e supozuara që janë shkaktuar nga veprimet korruptive llogaritet të kapin shuma të mëdha parash.

Sipas tij, qytetarët kanë rritur besimin ndaj AKKK-së, ndërsa nga këto 124 informata, 24 prej tyre kanë dashur të mbesin anonime në pikën që nuk kanë dashur ta bëjnë publik emrin e tyre në dokumente të caktuar, ndërsa personat e tillë janë të njohur për AKKK-në. Sa i përket deklarimit të pasurisë, Preteni ka pohuar se deklarimin e pasurisë zyrtarët e kanë deklaruar në 98 për qind brenda tri periudhave ligjore që u janë dhënë nga kjo agjenci. Ai ka thënë se për 21 zyrtarë kanë qenë të caktuara dënimet për zvogëlimin e pagës prej 20 %, ndërsa 2% e personave që nuk kanë deklaruar pasurinë janë tetë zyrtarë të Kuvendit dhe gjashtë nga gjyqësori. Për zyrtarët që fare nuk kanë deklaruar pasurinë, Preteni ka thënë se ka kërkuar nga punëdhënësit e tyre që ata të largohen nga puna, por nuk ka pasur informacione të sakta nëse këta zyrtarë vërtet janë larguar për shkak të mos deklarimit të pasurisë së tyre në AKKK.

ECIKS / Gazeta Express