Air Berlin hyn në Kosovë me mijëra fluturime në vit

Aviokompania e dytë më e madhe në Gjermani, pas Lufthansa, Air Berlin ka nënshkruar sot kontratë me Kosova Airlines për 10 fluturime në javë, apo mijëra fluturime në vit vetëm në relacionin Prishtinë – Zurich-Prishtinë. Sipas Remzi Ejupit, së shpejti kompania do të fillojë fluturimet për çdo destinacion tjetër të mundshëm, Gjermani, Austri, Amerikë etj.

Kontrata në mes të pronarit të Air Berlin Joachim Unold dhe pronarit të Kosova Airlines është nënshkruar në terminalin e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës. Pronari i Air Berlin, kompanisë së dytë më të madhe në Gjermani, Joachim Unold, deklaroi se është i lumtur që po fillojnë linjën për në Prishtinë.

“Air Berlin sot filloi linjën Zurich-Prishtinë 10 herë në javë. Qytetarët e Kosovës përmes kompanisë tonë do të kenë çmime më të mira dhe lidhje gjithashtu më të mira për çdo shtet tjetër deri edhe për udhëtimet në Amerikë”, tha Unold.

Ndërkaq pronari i Kosova Airlines Remzi Ejupi tha se linja me Zurich do të jetë vetëm fillimi i punës së kësaj kompanie, pasi kompania do të fillojë së shpejti fluturimet nga Prishtina edhe për shumë shtete të tjera.

“Air Berlin është kompania e dytë më e fuqishme në Gjermani e cila në flotën e saj disponon më shumë se 150 aeroplanë nga më modernët. Kjo kompani po ashtu është edhe një kompani “low cost”, e cila ofron çmime më të lira për qytetarët se kompanitë e rregullta. Synimi ynë është që me këtë kompani të kemi lidhje me çdo shtet ku jetojnë bashkatdhetarët tanë”, tha Ejupi.

Ndërkaq, drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, tha se politika që ka ndjekur kjo kompani që prej një viti e gjysmë, orientimi drejt konsumatorit, po jep efektet e veta.

“Politika e jonë për orientimin drejt konsumatorit dhe aviokompanive, po i jep efektet e veta. Sot jemi prezentë për ardhjen e kompanisë së dytë më të fuqishme gjermane Air Berlin, të cilës i dëshirojmë suksese për punën e saj. Shpresojmë se edhe shumë kompani të tjera të fuqishme do të vijnë në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës.

ANP ka filluar të punojnë 24 orë dhe ka miratuar një program nxitës për aviokompanitë që fluturojnë gjatë orarit të natës dhe kanë fluturime të përditshme, duke ia zvogëluar taksat.

Telegrafi