Prishtinë, 17 dhjetor 2009 – Përkrahja për Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Kosovës (APIK), që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes promovimit të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në regjionin gjermanofolës dhe ngritjes së kapaciteteve të saj.
Projekti i përkrahur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe i implementuar nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) që nga nëntori 2006 do të vazhdojë edhe për tri vite tjera, tani me qëllime edhe më ambicioze. Një pjesë e projektit të ri do të financohet edhe nga vetë APIK dhe ECIKS. Faza e re e projektit ka filluar me 1 nëntor 2009 dhe përfundon me 31 tetor 2012.
Qëllimi kryesor i fazës së re të projektit është ulja e varfërisë në Kosovë përmes promovimit të investimeve të huaja dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Projekti po ashtu ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të APIK-ut përmes trajnimeve dhe përkrahjes teknike, me qëllim të promovimit më efikas të investimeve në të ardhmen. APIK-u, si përfitues kryesor i projektit, do të përkrahet në rrugën e tij drejt një agjencie moderne dhe proaktive. Në bashkëpunim me Bankën Botërore projekti po ashtu do të përkrahë edhe përpilimin dhe implementimin e Strategjisë Kombëtare për Investimet e Huaja Direkte.
Projekti vazhdon të implementohet nga ECIKS, që në kuadër të këtij projekti vepron si përfaqësi e APIK-ut në Vjenë dhe ofron përkrahje teknike për zyrën qendrore të APIK-ut në Prishtinë.
Gjatë tri viteve të fundit, gjithsej 158 kompani dhe investitorë potencial nga Austria, Gjermania dhe Zvicra kanë shfrytëzuar shërbimet e zyrës së APIK-ut në Vjenë. Projekti ka përkrahur dhe mundësuar 15 investime në Kosovë, duke kontribuar kështu në krijimin e së paku 338 vendeve të reja të punës.
Asnjë vend tjetër i rajonit nuk ofron shërbime më profesionale dhe më të drejtpërdrejta për investitorët potencial nga rajoni gjermanofolës sesa Kosova përmes kësaj zyre. Duke ju falënderuar përkrahjes së vazhdueshme nga ADA, Kosova do të vazhdojë t’i ofrojë këto shërbime edhe për tri vite tjera dhe njëkohësisht do të forcojë APIK-un në mënyrë që kjo agjenci të marrë përsipër ofrimin e shërbimeve të tilla në të ardhmen.
(Komunikatë e përbashkët për shtyp e Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA, Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve – APIK dhe Nismës Ekonomike për Kosovën – ECIKS)