Komisioni Evropian mbështet Kosovën me 30 mil. euro

Më 2 shtator Komisioni Evropian transferoi 30 milionë euro në buxhetin e Kosovës. Kjo shumë është kësti i parë nga 50 milionë euro si ndihmë makro-financiare që u aprovuan nga Këshilli Evropian.

Dhënia e këstit të dytë prej 20 milionë euro varet nga zbatimi i vazhdimit të marrëveshjes me FMN-në dhe nga përparimi në përmbushjen e kushteve siç janë statistikat, transperenca dhe qëndrueshmëria fiskale, prokurimi, privatizimi, rindërtimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve publike dhe shoqërore.

Ndihma makro-financiare e BE-së është pjesë nga premtimet e bëra në Konferencën e Donatorëve për Kosovën në vitin 2008 për të adresuar nevojat e identifikuara në Kornizat Afatmesme të Shpenzimeve të Kosovës.

Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Björnsson theksoi se pjesa tjetër e ndihmës, do të varet nga përparimet që duhen bërë.

Në Konferencën e donatorëve për mbështetjen e shtetit të ri Kosovës, vitin e kaluar janë zotuar mbi 1.2 miliard euro, prej tyre mbi 500 milionë euro nga BE-ja.

ECIKS