Me sugjerimin e investitorëve, Ministria e Energjisë dhe Minierave e Kosovës e ka shtyrë afatin deri më 26 shkurt për shprehje të interesit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.
Investitorët i kanë kërkuar ministrisë se atyre nuk iu ka mjaftuar koha për të përgatitur ofertat e tyre për ndërtimin e termocentralit 500 MW me linjit.
Afati për shprehje të interesit kishte qenë 29 janari.
MEM-i planifikonte që të shpallte tenderin gjatë këtij muaji shkurt, ndërkaq afati për përzgjedhjen e kompanisë fituese ishte shtatori i vitit 2010. Qeveria e Kosovës planifikon ndërtimin e këtij termocentrali në fillim të vitit 2011.
Termocentrali i ri planifikohet të ndërtohet në afërsi të termocentraleve ekzistuese në Obiliq. Kapaciteti i termocentralit do të jetë 500 megavat me mundësi zgjerimi edhe për 500 megavat të tjera.
Një pjesë të aksioneve në këtë termocentral do t’i ruaj Qeveria e Kosovës, ndërsa investitori do të ketë në shfrytëzim pjesën tjetër të korporatës.