Bosët e karburanteve rritin çmimin e naftës

TIRANË, 1 Shtator 2003 – Rritet sërisht çmimi i naftës në tregun shqiptar. Në pikat e karburantit gjatë ditës së djeshme çmimi i naftës është rritur nga 10 deri në 40 lekë për litër. Rritja e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare dhe në tregun e PLATC-it, prej nga importojnë shoqëritë shqiptare ka ndikuar menjëherë në rritjen e çmimit të naftës në vendin tonë. Këtë e pohon për gazetën “Shekulli” drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Tatjana Kongoli, sipas të cilës rritja e çmimit të naftës në bursat prej nga importojnë biznesmenët shqiptarë ka ndikuar menjëherë në rritjen e çmimit të naftës në tregun vendas. Kongoli sqaron ekskluzivisht për gazetën se gjatë dy javëve të fundit pjesa më e madhe e biznesmenëve kanë importuar në sasi të konsiderueshme naftë, pas një periudhe rreth 1 muaj e gjysmë që nuk blinin naftë importi, por plotësonin nevojat e tregut vetëm me naftën e vendit. Pjesa më e madhe e depozitave doganore të karburanteve deri në mesin e këtij muajin kanë qenë të boshatisura, sepse rritja e prodhimit të naftës në Ballsh plotësonte nevojat e tregut dhe prej disa javësh nuk importohej, sqaron drejtoresha. “Çmimi i naftës ka filluar të rritet lehtë, sepse biznesmenët shqiptarë aktualisht e importojnë atë me rreth 250 dollarë për ton”, -pohon Tatjana Kongoli. Ndërkohë që një importues sqaron se rritja e vlerës së dollarit në bursat ndërkombëtare ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. “Dihet që nafta blihet me dollarë në tregun e jashtëm, dhe rritja e dollarit amerikan ndaj lekut ka sjellë rritjen e çmimit të naftës me rreth 40 lekë për litër”, -pohon një prej importuesve të naftës. Kështu, çmimi i naftës në treg ka arritur sërish në rreth 72 lekë për litër, ndërkohë që nafta vendit ka një kosto prej 58 lekë për litër.
Pse u rrit çmimi i naftës?!
Dy janë arsyet kryesore të rritjes së çmimit të naftës në tregun vendas. Kështu pohon për gazetën drejtori i Doganës së Durrësit, Gramoz Liçi, sipas të cilit rritja e fluksit të naftës së importit dhe rritja e çmimit në tregun e PLATC-it kanë ndikuar në shtrenjtimin e çmimit të naftës në vendin tonë. Sipas tij, që prej 1 muaji e gjysmë pikat e karburanteve furnizoheshin me naftë vendi, sepse prodhimi i Uzinës së Përpunimit të Ballshit është rritur ndjeshëm. Ndërkohë që gjatë 15 ditëve të fundit biznesmenët shqiptarë u detyruan të fillonin importin e naftës, çmimi i së cilës në tregun botëror është rritur me 20 dollarë për ton. “Gjatë dy javëve të fundit në bursa çmimi i naftës është rritur nga 234 dollarë për ton në 254 dollarë për ton”, -pohon Liçi. Sipas tij, nafta e importit është shtrenjtuar, në krahasim me naftën që kishin importuar biznesmenët shqiptarë muaj më parë. Nga ana tjetër, nafta e vendit ka një kosto më të ulët për biznesmenët, të cilët nuk paguanin as doganë dhe as transport dhe si rrjedhojë çmimi për qytetarët ishte më i lirë.

Çmimi i benzinës

“Çmimi i benzinës është më stabil”, -shprehet drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Tatjana Kongoli. Ajo sqaron se benzina nuk ka shumë konkurrencë, sepse në vend nuk prodhohet dhe vjen gjithnjë nga jashtë. Ndërkohë që benzina përdoret nga një grup më i ngushtë qytetarësh. Sipas të dhënave nga Ministria e Industrisë dhe Energjitikës, çmimi i benzinës është më stabël dhe nuk shoqërohet me luhatje të ndjeshme. Në vendin tonë vetëm 25 për qind e makinave konsumojnë benzinë, ndërsa pjesa tjetër konsumon naftë, sepse kjo e fundit ka një çmim më të arsyeshëm dhe konsumohet më me ngadalë.

Do të rritet sërish çmimi i naftës?

Çmimi i naftës gjatë këtij viti ka pësuar shumë luhatje, të cilat sollën një rritje galopante të çmimit të naftës dhe më pas një ulje drastike. Por, gjithçka varet nga bursat dhe ecuria e kuotimit të naftës në këto tregje, prej nga importon edhe vendi ynë. “Gjithçka varet nga zhvillimet e tregut botëror të naftës”, -pohon Kongoli. Sipas saj, këtë vit tregu botëror ka pësuar shumë luhatje, duke dhënë një ndikim në rritjen e çmimit të naftës edhe në vendin tonë. Ajo pohon se çmimi i naftës në vendin tonë pësoi një rritje deri në 100 lekë për litër, por më pas u stabilizua. Ndërkohë që gjatë këtij muaji vihet re sërish një rritje e lehtë e çmimit, e cila, sipas Kongolit, arrin në 20 lekë për litër.

Nga importohet nafta?

Rusia, Italia dhe sidomos Ukraina, Kroacia dhe Greqia janë vendet kryesore prej nga biznesmenët shqiptarë importojnë naftë. Në këtë tregje gjatë ditëve të fundit është rritur ndjeshëm çmimi i naftës, i cili vetëm dje është kuotuar në rreth 29.29 dollarë për fuçi, me një rritje ditore prej 11 qindarka. Ndërkohë që drejtori i Doganës së Durrësit pohon se në këtë doganë kryesisht nafta ka ardhur prej Ukrainës, Kroacisë dhe Greqisë, e cila zë peshën kryesore, me një çmim prej rreth 254 dollarë për ton. Kështu tregu shqiptar është i varur nga nafta e importit, e cila është edhe rregullatore e çmimeve, duke qenë se plotëson rreth 75 për qind të tregut vendas.

Si reagon ARMO?

Për të zbutur disi rritjen e çmimit të naftës kompania ARMO do të hedhë në treg një sasi të konsiderueshme nafte bruto. Kongoli sqaron se kompania shtetërore së shpejti do të kryejë një ankand për shitjen e rreth 40 mijë ton naftë të papërpunuar. Kjo sasi e konsiderueshme pritet që të plotësojë disi nevojën e tregut, edhe pse pikat e karburanteve tashmë janë furnizuar dhe për disa javë nuk do të kenë më nevojë për naftë. Si rrjedhojë, edhe çmimi i naftës nuk do të shënojë ulje. “Ka hyrë mjaft naftë në vend dhe janë plotësuar nevojat gjatë gjithë ditëve të fundit”, -pohon Kongoli.

Dollari rrit çmimin e naftës në treg

Sinjalet pozitive të ringritjes së ekonomisë amerikane, kanë fuqizuar monedhën e gjelbër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, nga ana tjetër rritja e monedhës amerikane ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Dihet që nafta blihet me dollarë në tregun e jashtëm, dhe rritja e dollarit amerikan ndaj lekut ka sjellë rritjen e çmimit të naftës me rreth 40 lekë për litër edhe në vendin tonë. Kështu, çmimi i naftës në treg ka arritur sërish në rreth 72 lekë për litër, ndërkohë që nafta e vendit ka një kosto prej 58 lekë për litër. Dollari amerikan gjatë muajit të fundit ka rritur ndjeshëm vlerën e tij, duke zhvlerësuar monedhat e tjera në treg. Gjatë mesditës së djeshme dollari amerikan është blerë me 122.5 lekë dhe është shitur me 123.6 lekë, duke shënuar sërish shenja ngritjeje.

Sa naftë prodhohet në botë në një ditë

Rezervat botërore të naftës bruto arrijnë në 1 trilion fuçi, nga të cilat 11 anëtarët e OPEC-ut zotërojnë rreth 75 për qind. Vendet e OPEC-ut (Organization of Petroleum Exporting Countries) kanë si qëllim që të mbajnë të qëndrueshëm çmimin e naftës, i cili kuotohet në dollarë. Anëtarët e OPEC-ut aktualisht prodhojnë 27 deri në 28 milionë fuçi naftë në ditë ose 40 për qind të totalit të prodhimit botëror, e cili arrin në 75 milionë fuçi në ditë në të gjithë botën.

ECIKS / Shekulli