80 milionë euro për informatizimin e shkollave

Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, nënshkruan sot një marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë dhe Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, për ofrimin e shërbimeve moderne telekomunikuese, përkatësisht lidhjen e të gjitha institucioneve arsimore të vendit me fije optike.

Kryeministri Thaçi tha se kështu po fillon të implementohet projekti madhor i qeverisë për informatizimin, kompjuterizimin e çdo shkolle në vend.

“Në kuadër të prioriteteve kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të të gjitha përkushtimeve që janë në kuadër të angazhimeve konkrete që kemi si qeveri, të ministrive përkatëse, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë më të mira, më të lehta, më efektive, më të realizueshme për arritjen, fillimin dhe implementimin e këtyre përkushtimeve”, ka thënë shefi i Qeverisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje mirëkuptimi do ta lehtësojë në masë të madhe implementimin e projektit të Qeverisë për informatizimin, kompjuterizimin e çdo shkolle në vend. “Kjo është pjesë e implementimit të politikave të Qeverisë së Kosovës për shtrirjen, zgjerimin dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore të telekomunikacionit për të gjithë qytetarët e Kosovës, para së gjithash për studentët, për nxënësit, për shkollat, duke përfshirë këtu në veçanti lidhjen e institucioneve arsimore shkollore me shërbime moderne telekomunikuese”.

Nga ana e tij, Haxha theksoi se ky është investimi më i madh që PTK-ja ka investuar ndonjëherë në Kosovë. “Projekti është afër 80 milionë euro. Kemi gjithsej 1080 shkolla, në gjithë territorin e Kosovës dhe ky projekt do të përfshijë te gjitha shkollat edhe universitet”.

Në emër në PTK-së, ai u zotua se projekti do të nisë sivjet dhe do të përmbyllet në kohën “më të shpejtë të mundshme”.

Gazeta Express