3,5% rritje ekonomike ne 2007

Rritjen ekonomike prej 3.5 për qind guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ia ka atribuuar si rezultat investimeve dhe sektorit privat, derisa arritjet më të mëdha gjatë këtij viti, sipas raportit, i ka shënuar sektori bankar, falë normave të larta të interesit

Prishtinë, 14 korrik 2008 – Në raportin vjetor të Bankës Qendrore, i publikuar të hënën, thuhet se në vitin 2007 Kosova ka arritur bruto-produktin e brendshëm në rreth 1.400 euro për kokë të banori, përderisa ekonomia ka shënuar një rritje reale prej 3.5 për qind, njofton e përditshmja kosovare Koha Ditore.

Sipas gazetës, guvernatori i Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, këtë rritje ia ka atribuuar investimeve dhe sektorit privat derisa arritjet më të mëdha gjatë këtij viti, sipas raportit, i ka shënuar sektori bankar, falë normave të larta të interesit.

“Fitimi i lartë dhe i qëndrueshëm i bankave gjenerohet kryesisht nga rritja e vazhdueshme e aktiviteteve të huadhënies dhe përhapjes së normave të larta të interesit në sektorin bankar të vendit”, thuhet në raport.

Sipas Rexhepit, vazhdon njoftimi i gazetës, sektori bankar vazhdon të dominojë në sektorin financiar me 90 për qind të mjeteve të përgjithshme të këtij sektori. Sektori bankar i Kosovës gjatë vitit 2007 ka shënuar një fitim në vlerë prej 157.4 milionë eurosh, përderisa fitimi neto i bankave ka qenë 33.8 milionë euro.

Zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë për mediet kosovare se proklamimet e bankave për zbritje të normave të interesit nuk janë të kënaqshme, por se vetëm konkurrenca e shëndoshë në tregun bankar mund t’i ulë kamatat në kredi.

Ata kanë vlerësuar se gjatë vitit 2007 ekziston një rënie e vogël e normave të interesit në kredi, por kjo rënie nuk ka qenë aq sa është pritur.

Në raport thuhet se fitimi i gjeneruar nga interesi mban pozitën e burimit kryesor të fitimit të bankave, duke paraqitur 74.8 për qind të tërësisë së të ardhurave të sektorit bankar.

ECIKS / Burimi: Koha Ditore