11,5 milionë euro për ta futur “Xella”-n në prodhim

Lipjan, 26 shtator 2007 – Ekonomia kosovare ka arritur të përforcohet me blloqe ndërtimi “Silka”, pasi ka nisur punën fabrika e tullave “Xella” në Lipjan. Investimi i përgjithshëm i kësaj fabrike ka arritur shumën prej 11 milionë e 500 mijë eurosh, me investitor kryesor “Xella International” dhe “Haro Trade”. Kjo fabrikë, ndërkaq, do të udhëhiqet nga drejtori kosovar, Samir Krasniqi. “Xella”, siç është thënë në përurim, do të prodhojë “Silka” blloqe ndërtimi me teknologji gjermane, kurse si lëndë të parë ka lëndën vendore. Shefi i Administratës së UNMIK-ut në Kosovë, Joachim Ruecker, pasi ka marrë pjesë në shiritin përurues të kësaj fabrike, është shprehur se pasi të ngrihet flamuri dhe të definohet statusi i Kosovës në këtë vend do të vërshojnë investitorë të shumtë nga mbarë bota.

“Unë shoh një zhvillim edhe më të madh pasi të ngrihet flamuri dhe të definohet statusi i Kosovës, sepse atëherë këtu do të vërshojnë investitorë të shumtë nga e gjithë bota”, shprehej ai. Sipas tij, deri tani kemi pasur gjëra të mira në Kosovë. Ai ka përmendur rastin e “Ferronikelit” dhe tani “Xella”, të cilat e kanë filluar prodhimtarinë e tyre dhe me eksport. “Aktivitetet e mia të fundit kanë qenë shumë të rëndësishme për ta bërë një Kosovë sa më të pranueshme. Kemi pasur edhe investime gjatë kësaj kohe siç ishin ato nga dy bankat sllovene, telefoninë mobile dhe atë shqiptare, gjithashtu është vazhdimisht në rritje ekonomia edhe në sektorin privat, e ku janë bërë investime të mëdha”, ka thënë Ruecker.

Presidenti Sejdiu: “Xella”, hap i rëndësishëm zhvillimor

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, fabrikën e prodhimit të materialit ndërtimor “Xella” në Lipjan, e ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm zhvillimor për këtë lokalitet dhe një shembull të mirë që flet se në Kosovë ka siguri dhe kushte shumë të volitshme për investitorët e jashtëm. “Ndihem i kënaqur, sepse një lider i materialeve për ndërtim, siç është grupi “Xella International”, ka promovuar këtë investim serioz në vendin tonë. Ndaj, ky është një kapacitet domethënës i eksportit ndërtimor dhe i zëvendësimit të importit, i punësimit dhe i përmirësimit të strukturës së investimeve tek ne”, ka thënë Sejdiu. Aq më tepër, Sejdiu ka rikujtuar se Kosova ka pranuar kriteret e ekonomisë së hapur të tregut. Sipas tij, kjo është bërë me një qasje mjaft liberale. “Jemi të interesuar të krijojmë kushte sa më të volitshme për investitorët, qofshin ata të brendshëm, apo të jashtëm, për zhvillimin e një sektori të shëndoshë, privat të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e veçmas në sektorin e prodhimit”, ka shtuar ai.

Krasniqi: Investimi shpresëdhënës, këso produktesh nuk ka në rajon

Drejtori kosovar i kësaj fabrike, Samir Krasniqi, ka bërë të ditur se paraprakisht janë bërë analizat e tregut, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Kurse, për vetë faktin se këso produktesh nuk ka në rajon, ai mendon se kjo ka qenë shpresëdhënëse se do të ketë interes të investohet këtu. “Premisat janë pozitive, sikurse edhe analizat e tregut dhe që në start kemi shumë kërkesa dhe jemi optimist se do të ketë sukses që në fillim”, ka thënë për gazetën, Krasniqi.

Veç kësaj, ai ka njoftuar se fabrika “Xella” do të prodhojë në dy linja: blloqe për ndërtim dhe tulla të fasadës për dekorim shtëpish. “Ky pra është një produkt i ri në tregun kosovar, i cili përbëhet nga lënda e parë natyrore siç është rëra, gëlqerja dhe uji. Të gjitha këto natyrisht kosovare janë. Ky produkt i ri në tregun kosovar që më herët është shtrirë në Evropën Perëndimore dhe Skandinavi, së fundmi edhe në Evropën Lindore, tash do të jetë edhe këtu, konkretisht në Ballkan”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, drejtori gjeneral i “Xella Alpe Adria”, gjermani Klauss Shtainer ka bërë të ditur se qysh para 4 vjetësh është marrë një vendim për këtë projekt. “Ndoshta në atë kohë nuk është besuar se do të kemi një fabrikë çfarë është tani. Megjithatë, ne kemi filluar ndërtimin e fabrikës në vitin 2004 dhe deri tashti ka kushtuar 11,5 milionë euro”, ka thënë Shtainer.

“Këtu është sjellë teknologji e re gjermane dhe është fabrikë bashkëkohore. Unë u premtoj se cilësia e këtyre prodhimeve është një fuqi e re në treg”.

ECIKS / Marrë nga Koha Ditore