100 milionë euro depozita në Kosovë nga jorezidentët

Rreth 100 milionë euro arrin vlera e depozitave të banorëve jorezidentë në sistemin bankar të Kosovës. Kjo bëhet e ditur nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila në raportin e Stabilitetit financiar të publikuar javën e kaluar, potencon se depozitat e jorezidentëve deri në qershor të këtij viti janë rritur për 33.7 %.

Në përgjithësi depozitat e jorezidentëve në vend kanë një pjesëmarrje prej 5.1% në depozitat e përgjithshme të sektorit bankar, krahasuar me 4.3 % sa kanë qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. ”Rritja e vazhdueshme e depozitave të jorezidentëve në vend është rezultat i normave të favorshme të interesit në depozita si dhe rritjes së besimit të publikut kundrejt sistemit bankar të Kosovës, gjë që ka rezultuar nga stabiliteti dhe performanca e mirë e këtij sistemi”, thuhet më tej në këtë raport.

Në qershor 2011, depozitat e përgjithshme në sistemin bankar të Kosovës arritën vlerën prej 1.9 miliard euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 11.8 %.

/Telegrafi/