Vjenë, 12.06.2013- Në 10-vjetorin e themelimit të “Nismës Ekonomike për Kosovën – ECIKS”, kjo organizatë ka prezantuar sot në Vjenë studimin “Marrëveshje e re për Kosovën – krijimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike”, përfshirë edhe rekomandime të qarta për ekonominë e vendit në 10 fusha.
Në konferencën e nivelit të lartë të organizuar sot në Vjenë me rastin e 10-vjetorit të themelimit të ECIKS, rekomandimet e ECIKS janë debatuar dhe përkrahur para rreth 100 pjesëmarrësve nga ekonomia, politika e mediat austriake.
Ne debat per ekonominë e Kosovës kanë marrur pjesë, mes tjerëve, edhe ministrja e tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari-Lila, zëvendësministrja e ekonomisë së Republikës së Austrisë, Bernadette Gierlinger, ish zëvendëskancelari austriak, Erhard Busek si dhe ish komisioneri i BE-së për bujqësi, Franz Fischler.
Sipas studimit të ECIKS, të prezantuar nga kryetari i organizatës, Kujtim Dobruna, Kosovës i duhet një “New Deal” (Marrëveshje e re) në formë të një plani ekonomik kombëtar që do të kishte përkrahje të gjerë në Kosovë dhe që do ta sillte ekonominë si prioritet numër një në agjendën e Kosovës.
Kjo marrëveshje e re do të duhej ti linte anash mospajtimet ideologjike dhe të koncentrohej thjeshtë në pragmatizëm dhe në nevojat praktike të ekonomisë së vendit. Një rritje e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike mund të arrihet vetëm nëse zhbllokohen potencialet e shumta ekonomike të vendit. Qëllimi duhet të jetë zhvillimi i një ekonomie kompetitive nga e cila do të kenë dobi të gjithë kosovarët. Kjo mund të arrihet përmes kyçjes dhe kombinimit të potencialeve njerëzore, resurseve natyrore dhe sektorit privat.
ECIKS ka prezantuar në studim rekomandime të detajuara në 10 fusha të ndryshme. Studimi i ECIKS mund të shkarkohet nga seksioni i publikimeve ne web. Në rekomandime përfshihen edhe:
• Vendosmëria për luftimin e krimit dhe korrupsionit duhet të jetë më shumë se retorikë ndërsa transparenca gjyqësore duhet të rritet;
• Qeveria duhet ta udhëheqë në mënyrë aktive procesin e krijimit të një Plani Kombëtar për Zhvillim Ekonomik;
• Qeveria duhet të krijojë një sistem dual edukimi, ngjashëm si në Austri, Zvicër e Gjermani. Kjo do të mundësonte më shumë diversitet edhe efikasitet në tregun e punës;
• Qeveria duhet ta intensifikojë punën në modernizimin e infrastrukturës, posaçërisht të rrugëve, hekurudhave, energjisë dhe telekomunikacionit, me vëmendje të veçantë në lidhjet ndërkombëtare;
• Qeveria duhet të ndërmarrë një hulumtim të detajuar të resurseve natyrore të Kosovës duke përdorur metodat dhe teknologjitë më moderne dhe të krijojë një „Fond Kombëtar të Mirëqenies“. Të ardhurat për këtë fond do të vinin nga liçencat dhe do të përdoreshin kryesisht për investime në edukim, sistemin shëndetësor dhe infrastrukturë;
• Qeveria duhet të krijojë Fondin e Kosovës për Investime dhe Zhvillim, i cili do të financohej nga mjetet e akumuluara të procesit të privatizimit, që do të inkurajonte dhe shpejtonte zhvillimin e sektorit privat, me theks të veçantë në zhvillimin e NVM-ve;
• Për mos të humbur hapin me konkurentët në rajon, Qeveria duhet të krijojë lehtësi financiare dhe jo-financiare për investitorët e huaj potencial;
• Ekonomia është çështje që ju përket të gjithë kosovarëve. Prandaj duhet të kërkohet dhe të arrihet një qasje gjithëpërfshirëse si dhe një përkrahje e gjerë për zhvillimin ekonomik, si në politikën e vendit ashtu edhe në shoqërinë civile.