Wesley Clark planifikon të investojë në Kosovë

Kompania e ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark duket se ka marrë përkrahje të mirë nga Qeveria e Kosovës për të filluar sa më parë punën me prodhimin e naftës në vend.

Qindra miliona euro investime të premtuara në këtë fushë i kanë shtyrë institucionet e vendit që të angazhohen maksimalisht për të mos e lëshuar këtë rast.

Burime të gazetës Express thonë se kompanisë energjetike me seli në Kanada, Envidity, që e udhëheq Clark, do t’i bëhen disa lehtësime për shkak të fushës specifike të cilën ajo synon ta hulumtojë dhe zhvillojë projektin në të ardhmen.
“Përveç të tjerash, kompania po kërkon që t’i lejohet ta fusë teknologjinë e saj në territorin e Kosovës pa iu nënshtruar taksave doganore. Kjo pritet t’i mundësohet me një vendim të veçantë nga Ministria e Financave”, thotë ky burim.

/Telegrafi/