U mbajt takimi i dhjetë për Stabilizim-Asociim

Prishtinë, 14 korrik 2006 – Në Prishtinë u mbajt sot takimi i dhjetë i Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim-Asociimit ku është diskutuar Plani Kosovar i Veprimit për Partneritet Evropian. Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim, Reinhard Priebe ka thënë se Qeveria e Kosovës po bënë një punë të madhe në zhvillimin e këtij plan-veprimi, kurse kryeministri Agim Çeku, shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Reinhard Priebe shtoi se plani i veprimit do të jetë një dokument i rëndësishëm udhëzues që do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës që të arrijë përparime konkrete në implementimin e reformave që t’i arrijë standardet dhe vlerat evropiane”, ka thënë ai në një komunikatë për shtyp.

Ndërsa kryeministri Çeku ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës në rrugën e saj evropiane. Ai tha se draft Plani i Veprimit për Partneritet Evropian do të inkorporojë edhe komentet që ka marrë sot dhe do të miratohet nga Qeveria. “Është me rëndësi të theksohet se në këtë plan janë inkorporuar edhe standardet për Kosovën, kështu që pas aprovimit të këtij dokumenti ne do ta kemi një plan të vetëm: Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian”, tha Çeku. Ai shtoi se edhe takimi i sotëm ka treguar se ka përparim të dukshëm në plotësimin e kritereve të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, zëvendësshefi i UNMIK-ut Steven Schook ka thënë se “perspektiva evropiane për Kosovën është e një rëndësie të veçantë, dhe ajo i kontribuon pozitivisht stabilitetit të rajonit, si dhe forcimit të qeverisjes demokratike.

Komisioni Evropian ka siguruar mbështetje në përpjekjet e Kosovës, e cila do të përfitojë nga ndihma e instrumentit të ri për para-hyrje në BE për periudhën 2007-2009. Në kumtesën e lëshuar nga ky takim thuhet se autoriteteve kosovare u është kërkuar që të përmirësojnë kapacitetet koordinuese në implementimin e ndihmës ndërkombëtare. Gjithashtu Komisioni ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë më të kujdesshme lidhur me implikimet buxhetore që mund të kenë politikat e reja. Komisioni ka theksuar se mbështetja ardhshme buxhetore varet nga një politikë-bërje e përgjegjshme fiskale dhe buxhetore në pajtim të plotë me përpjekjet e ndërkombëtarëve dhe në bashkëpunim me FMN-në.

ECIKS / RTK