Thaçi: “Procesi i privatizimit është i korruptuar”

Prishtinë, 12 prill 2006 – Në takimin e kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, me kryetarin e BSPK-së Bahri Shabani theks të veçantë iu dha procesit të privatizimit, për të cilin u tha se është privatizuar nga pushtetarët aktual dhe se është i korruptuar në tërësi.

Çështja e privatizimit duhet të ketë një qasje më serioze nga zyrtarët aktuale u tha në takimin ndërmjet kreut të PDK-së Hashim Thaqit dhe kryetarit të sindikatave të Bashkuara të Kosovës Bahri Shabani. Thaçi me këtë rast ka kritikuar procesin e privatizimit duke e quajtur të korruptuar.

“Qeveria aktuale duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë çështjeve sociale dhe jo vetëm deklarimeve boshe politike, dhe vetë procesi i privatizimit është privatizuar nga pushtetarët aktualë dhe ky proces është korruptuar në tërësi dhe ajo çka është më e keqja po përdorën standarde të dyfishta, standarde favorizuese dhe standarde përjashtuese” tha Thaçi.

Ndërsa udhëheqësi i BSPK-së Bahri Shabani e ka informuar për shkelje të rregulloreve ligjore gjatë privatizimit konkretisht në rastin e “Ferronikelit”, duke shtuar se sindikata dhe punëtorët e kundërshtojnë këtë proces.”Në të ardhmen, por edhe institucionet e tanishme duhet të merren me seriozitet me çështjen e privatizimit. Gjithmonë thuhet nga ana e qeverisë se kemi rezultate konkrete dhe pozitive, por i vetmi rezultat pozitiv është se ka një përshpejtim të procesit, mirëpo nga ana e punësimit dhe mbështetja sociale e punëtorëve të Kosovës kjo mungon” deklaroi Shabani. Ai tha se si anëtar i bordit të AKM-së do të përpiqet t’i luftojë parregullsitë.

Ndryshe, për të enjten në Parlamentin e Kosovës ishte paraparë të diskutohet për çështjen e privatizimit, por Kryesia e Kuvendit miratoi kërkesën e kryeministrit Agim Çeku që seanca plenare të shtyhet për javën e ardhshme.

Anëtarë të kryesisë thanë se kjo kërkesë është miratuar me qëllim që qeveria dhe deputetët të përgatiten më mirë për atë seancë. Në seancën e 20 prillit, pritet të raportohet edhe për shkallën e rrezikshmërisë së gripit të shpezëve në Kosovë.

ECIKS / RTK