“Telekom Slovenija” hyn në tregun kosovar

“Telekom Slovenija” është pronare e aksioneve të operatorit mobil “Mobitel”, fitues i tenderit të anuluar të telefonisë mobile. “Ipkonet” së bashku me Western Wirelessin amerikan ishin pikërisht kundërshtarët më të zëshëm të fitores së “Mobitelit”

Hakim Kasami

Prishtinë, 29 maj 2006 – “Telekomi” i Sllovenisë ka blerë 75 për qind të aksioneve të ofruesit të shërbimeve të Internetit, “IpkoNet” dhe për to ka paguar jo më pak se 19,5 milionë euro, ka bërë të ditur kompania “IpkoNet” përmes një komunikate për media.

Marrëveshja është nënshkruar të hënën, ndërsa kompania është nxituar ta publikojë lajmin po të njëjtën ditë.

“Nga 19,5 milionë euro, 10 milionë euro janë investime të drejtpërdrejta, të cilat pritet të realizohen në dy vitet e ardhshme, të cilat do të sigurojnë investime në ndërtim dhe modernizim të mëtutjeshëm të rrjetit”, thuhet në njoftim.

Zyrtarët e “Ipko”-s kanë pohuar se shërbimet fikse janë objekt i interesimit dhe strategjisë së menjëhershme të partnerëve të rinj të tyre, ndërkaq që kjo do të pasohet edhe me strategji në fushën e telefonisë mobile, qëllimi i së cilës është sigurimi i licencës së dytë për GSM në Kosovë.

“IpkoNet” bashkë me Western Wireless-in, kompaninë amerikane të telefonisë mobile kanë qenë kundërshtarët kryesorë pikërisht të kompanisë sllovene të telefonisë mobile, ”Mobitel”, aksionet e së cilës, qind për qind i takojnë partneres së re të IpkoNet-it.

“IpkoNet” së bashku me Western Wireless kanë qenë kundërshtarët më të zëshëm të vendimit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për ta shpallur fitues të tenderit për operator të dytë të telefonisë mobile. Tenderi u anulua nga PSSP-ja pasi kundërshtimet e IpkoNetit dhe Western Wireless-it u pasuan edhe me reagime të kryeministrit të atëhershëm, Bajram Rexhepi dhe përfaqësuesve të shteteve të Quint-it në Prishtinë.

Marrëveshja mes ISP-së kosovar dhe “Telekomit” të Sllovenisë koincidon pikërisht para rishpalljes së tenderit për operator të dytë të shërbimeve të telefonisë mobile – GSM. Aktualisht, Qeveria është në fazën e përzgjedhjes së kompanisë e cila do ta këshillonte atë për përgatitjen e pakos tenderuese ndërsa ART-në rreth përzgjedhjes së fituesit.

Para kësaj marrëveshje të finalizuar me sukses, Ipko-ja pati nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me PTK-në, e cila nuk arriti të finalizohej asnjëherë.

Përveç aksioneve të “IpkoNetit”, pazaret më të fundit të “Telekomit” të Sllovenisë ishin edhe blerja e On.net-it maqedonas dhe bashkëpunimit me kompaninë gjermane 01066 GmbH. Në njoftimin për media, “Telekomi” i Sllovenisë ka pohuar se një prej qëllimeve kryesore të saj është zgjerimi regjional, para së gjithash në tregun e Evropës Juglindore dhe gjatë këtij viti planifikojnë së paku edhe një blerje jashtë vendit.

Drejtori i “Ipko Netit”, Akan Ismaili, me rastin e nënshkrimit të kontratës ka vlerësuar se ekziston një sinergji e madhe ndërmjet dy kompanive. “Në njërën anë është “IpkoNeti” që ka ndërtuar strategji të fortë të ofrimit të shpejtë dhe efikas të ‘triple play’ shërbimeve në tregun kosovar të telekomunikimit, i cili është me perspektivë dhe në rritje; dhe në anën tjetër “Telekomi” i Sllovenisë, kompani kjo me strategji serioze që të bëhet lojtar i rëndësishëm rajonal në treg”, citohet të ketë thënë ai.

Ai i tregoi “Kohës Ditore” se bisedat me “Telekomin” e Sllovenisë kanë zgjatur pak më shumë se një muaj, mirëpo kanë qenë shumë intensive. “Pas bisedave preliminare shumë shpejt janë sjellë kompanitë

konsulente që kanë bërë verifikimin e gjendjes financiare, pronësore dhe teknike, si dhe vlerësimin e plotë të kompanisë”, ka thënë Ismaili. Marrëveshja, sipas tij do të fillojë të implementohet brenda disa ditësh kur “Telekomi” i Sllovenisë edhe formalisht do të marrë kontrollin e kompanisë.

“Për momentin nuk do të ketë ndryshime në menaxhment. Njëra ndër kushtet e marrëveshjes ka qenë edhe gatishmëria e menaxhmentit që të vazhdojë punën në ‘Ipko Net’”, ka thënë Ismaili.

Nga marrëveshja e re, sipas Ismailit, do të përfitojnë më së shumti konsumatorët – “shërbimet e reja të shpërndara nëpër gjithë Kosovën dhe me çmime të kapshme për qytetarët e vendit, me synim që kjo të përfshijë tërë spektrin e sektorit të telekomunikimeve, fikse dhe mobile”.

“IpkoNet” ka 110 të punësuar dhe e operon rrjetin e vet fiks dhe wireless, me të cilin rrjet mbulon rreth 80 për qind të hapësirës së banuar në Kosovë.

Marrë nga Koha Ditore