Telefonia fikse me teknologji të re

FERIZAJ, 29 MAJ – Zyrtarë të PTKsë, të martën kanë promovuar në Ferizaj, zhvillimet e fundit që po bëhen në rrjetin e telefonisë fikse, nëpër rajonet e Kosovës si dhe në atë të Ferizajt. Tashmë një numër i madh i parapaguesve janë bartur në rrjetin e ri NGN që është gjeneratë e re teknologjisë komunikuese, kurse brenda pak ditëve do të bartën të gjithë numrat. Numrat e ri do të fitojnë vetëm shifrën tre, karshi numrave të vjetër, të cilët do të mbesin të pandryshuar. me këto ndryshime do të mundësohet që telefonia fikse të shtrihet edhe në shumë fshatra. Zyrtarët e PTKsë, ata të njësisë të TK-së, premtonin ndryshime në politikat ndaj konsumatorëve. “Me ndërrimin e menaxhmentit ndërkombëtar me atë vendor kemi shumë ndryshime pozitive”, u shpreh Fadil Lepaja, koordinator për media. Lepaja pohoi se për PTKnë janë me rëndësi të njëjtë si zhvillimi i “Valës” të telefonisë mobile ashtu edhe asaj fikse.

Burim Hana, menaxher i produkteve pohoi se çmimet e shërbimeve do të jenë më të lirat në rajon duke potencuar se një cent do të jetë biseda 1-minutëshe nëpër territorin e Kosovës. Ndërkaq lidhja për të pasur numër vetëm 10 euro. Gazetarët shtruan pyetje dhe për funksionimin e rrjetit të PTK-së edhe në Shtërpcë dhe morën përgjigjen nga zyrtarët se “për çdo gjë jemi gati dhe pajisjet janë blerë, por mbi të gjitha kjo është çështje politike”, duke pranuar se “nëpër enklava veprojnë operatorët e Serbisë”.

Bashkim Fazliu, menaxher për shitje bëri publike shumë oferta të kësaj kompanisë të cilat sipas tij do të jenë shumë joshëse për qytetarët. Ky projekt i PTK-së për transformimin e rrjetit të vjetër në atë të ri NGN ka kushtuar rreth 18 milionë euro.

Marrë nga Koha Ditore