Rrezikohen eksportet e Kosovës

Prodhimet kosovare që eksportohen për në vendet e BE-së që nga muaji janar do të jenë më pak konkurrente se që ishin në 10 vjetët e fundit. Në fund të muajit dhjetor, 2010 ka përfunduar Marrëveshja tregtare me BE-në e cila ka aplikuar masa preferenciale të tregtisë me Kosovën. Prodhimet “Made in Kosova” nuk mund të hyjnë më në tregun evropian pa paguar taksat doganore.

Nevoja për aplikimin e preferencave për prodhimet kosovare qe bërë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për tregti të lirë në mes të Kosovës dhe BE-së. Zyrtarë të Komisionit Evropian thonë se Kosova duhet të plotësojë shumë kushte për të filluar negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë me BE-në.

Është Komisioni Evropian ai i cili e ka përsipër miratimin e këtyre masave, por këtë nuk mund ta bëjë pa pajtimin e Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Kanë qenë pikërisht këto dy të fundit ato që nuk e kanë zgjatur marrëveshjen preferenciale. Sipas zyrtarëve nga Departamenti i Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, “Në këto dy institucione të BE-së miratimi nuk është bërë për shkaqe politike. Sipas informatave, në Këshillin Evropian është thënë se aspekti ekonomik është mirë, por pritet të gjendet një formë dhe të vazhdojnë këto masa preferenciale sa më shpejt që është e mundur”.

Mungesa e një marrëveshje të tillë paraqet një barrë tejet të rëndë për ekonominë e Kosovës sepse i zvogëlon mundësitë e bizneseve vendore për të përfituar nga eksporti. Në mungesë të Marrëveshjes, barrierat tregtare do ta bëjnë shitjen shumë pak të leverdishme dhe si rezultat do t’i zvogëlojnë dukshëm të hyrat për ato biznese të cilat varen nga eksporti. Kjo do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në të gjithë ekonominë kosovare sepse bizneset do të kenë më pak mjete kapitale për të investuar. Duke qenë se problemi i varfërisë në Kosovë është kryesisht mungesa e mjeteve kapitale, barrierat tregtare me BE-në do ta rrisin varfërinë në Kosovë. BE-ja është partneri tregtar kryesor i Kosovës sepse 54% e eksporteve kosovare shkojnë drejtë shteteve anëtare të saj. Ky fakt i bënë efektet negative të barrierës tregtare edhe më të dukshme.

ECIKS / Koha Ditore