Qindra tonë perime kosovare në Shqipëri

Rahavec – Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga Shqipëria dhe Kosova, me tri kompani nga Shqipëria, kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin marrëveshjen për eksportimin e qindra tonë perimesh gjatë këtij viti të prodhuesve kosovarë të perimeve nga Komuna e Rahavecit për në tregun e Shqipërisë.

Me këtë marrëveshje parashihet që 300 tonë speca llojesh të ndryshme të eksportohen në tregun shqiptar, dhe një gjë e tillë është bërë e ditur gjatë një takimi të mbajtur në fshatrat Krushë e Madhe dhe Fortesë (Bellacërkë) të Rahavecit, me përfaqësues të USAID-it e ku morën pjesë edhe prodhues të njohur perimesh nga fshatrat e lartcekura, si dhe tri kompani nga Shqipëria. Isa Dina, drejtor i shoqatës së bujqve “Përdrini” tha se qëllimi i takimit ishte arritja e marrëveshjes për eksportimin e qindra tonëve perime nga Kosova për në tregun shqiptar. Sipas tij, takimi me përfaqësues të USAID-it nga Shqipëria dhe USAIDit nga Kosova, ka qenë shumë i dobishëm dhe synon arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim tregtar me tri kompani shqiptare të interesuara për blerjen e specave nga rajoni i Anadrinisë së Rahavecit. Dinatha se disa prodhues të perimeve nga Krusha e Madhe që ishin prezentë në këtë takim shprehën gatishmërinë për arritjen e një marrëveshjeje për tregtimin e rreth 300 tonë speca të llojit “Kapi e kuqe”. Çmimi i ofruar nga bujqit për shitjen e specave ishte 0,25 euro për kilogram, kurse kompanitë nga Shqipëria “Kampion”, “Sejega food” dhe “Processing” ofruan 0,20 euro për kg, ka potencuar drejtori Dina. Megjithatë, ai ka shprehur besimin se me ndërmjetësimin e USAID-it do të arrihet marrëveshja për një çmim të arsyeshëm.

Ndërkohë që, ai është i sigurt se nga kjo marrëveshje do të ketë përfitime të dyanshme, duke qenë i bindur se tashmë janë hapur rrugët për rritjen e bashkëpunimit lidhur me këtë prodhimtari. “Shpresojmë se në të ardhmen do të ketë edhe marrëveshje të tjera që do të ndikonin në shtimin e prodhimtarisë bujqësore në Krushë të Madhe dhe fshatra të tjera të Anadrinisë së Rahavecit”, është shprehur ndër të tjera Dina.

Ndërkaq, Ilir Popaj, menaxher i shoqatës joqeveritare “ProMO”, tha se një takim i ngjashëm ka organizuar edhe shoqata që udhëheq ai, me ç’rast janë zhvilluar biseda të dobishme mes prodhuesve kosovarë të perimeve dhe kompanive tregtare nga Shqipëria. Popaj ka vlerësuar se çmimi i ofruar është stimulim i mirëseardhur për bujqit e kësaj ane, të njohur si prodhues të mëdhenj të perimeve gjithandej Kosovës. Organizatorët kanë bërë me dije se tashmë marrëveshja është arritur në parim dhe se e njëjta do të zyrtarizohet së shpejti, por nuk kanë precizuar ndonjë datë se kur do të bëhet ajo.

Marrur nga Koha Ditore