Qeveria ndanë 400 mijë euro ndihmë për SHBA

Prishtinë, 7 shtator 2005 – Qeveria e Kosovës përkundër buxhetit të kufizuar, të martën në mbledhjen e rregullt, i ka ndarë 400 mijë euro ndihmë për familjet që pësuan nga uragani “Katrina” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në shenjë solidariteti me familjet e viktimave.

Kryeministri Bajram Kosumi tha se kjo ndihmë sado që është e vogël, shpreh keqardhjen dhe solidaritetin e Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës me popullin amerikan, që po përjeton këto ditë disa katastrofa natyrore.

“Qeveria dhe populli i saj kurrë nuk do të harrojë ndihmën që populli amerikan ka dhënë për Kosovën në të gjitha aspektet, politike, ushtarake, financiare dhe pavarësisht prej buxhetit të vogël të qeverisë, ne kemi ndarë një shumë të mjeteve prej 400 mijë €”, tha kryeministri Kosumi.

ECIKS / KosovaLive