Qeveria krijon fonde për rindërtimin e objekteve të dëmtuara

Prishtinë, 22 mars 2004 – Qeveria e Kosovës u premtoi pjesëtarëve të minoritetit serb ndihma për rindërtimin e shtëpive dhe kishave e manastireve. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha “Ne e dënojmë me forcë shkatërrimin e qendrave kulturore dhe fetare, si p.sh. të kishave apo manastireve. Qeveria ka vendosur të krijojë një fond special për rindërtimin e të gjitha ndërtesave që janë shkatërruar ditët e fundit.”

Sipas bilancit më të fundit të UNMIK-ut, prej trazirave disa ditore në Kosovë kanë humbur jetën gjithsej 24 persona dhe janë plagosur 851 të tjerë, 22 prej tyre në gjendje të rëndë. Në mes të të plagosurve janë edhe 98 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut dhe të Shërbimit Policor të Kosovës si edhe 55 pjestarë të Kforit. Në raportin më të fundit të UNMIK-ut, thuhet se nga 17 marsi, kur filluan trazirat janë djegur 27 makina të UNMIK-ut, 19 makina të Shërbimit Policor të Kosovës dhe 24 makina civilësh. UNMIK-u njoftoi se gjendja në Kosovë është e qetë.

ECIKS