PTK-ja me oferta të reja për biseda jashtë vendit

GJAKOVË, 31 maj 2007 – Telekomi i Kosovës do të ulë çmimet e bisedave ndërkombëtare që nga dita e premte, kanë bërë të ditur të enjten përfaqësues të saj, gjatë një konference për media të organizuar në Gjakovë, gjatë një prezantimi të pakove të reja të shërbimeve që TK-ja ka përgatitur për konsumatorët e telefonisë fikse.

Zyrtarë të TK-së kanë pohuar se për çmimet e reja do të kuptohet të premten gjatë një konference për media që do të organizohet në Prishtinë, mirëpo kanë premtuar se këto çmime do të jenë më të mira dhe konkurruese. “Që nga nesër do të startojmë me një njësi shumë interesante për konsumatorët, pasi do të ulim tarifat e bisedave ndërkombëtare”,ka thënë udhëheqësi i Departamentit për media në TK, Fadil Lepaja.

Ai ka deklaruar se “çmimet do të jenë më të lira dhe do të jenë konkurrente, sidomos me kabinat ilegale, të cilat do ta kenë vështirë që t’i përcjellin çmimet tona në të ardhmen”.

Drejtues lokalë të TK-së në Gjakovë më pas kanë njoftuar lidhur me kalimin e infrastrukturës së re, me sqarimet e migrimit të numrave, si dhe me ofertat e shërbimeve të reja. Agron Lleshi, menaxher rajonal, ka thënë se migrimi i numrave në Gjakovë ka qenë më e vështirë se sa në rajonet e tjera, pasi, sipas tij, kjo komunë ka trashëguar një infrastrukturë të dëmtuar për shkak të dëmeve të luftës.

“Është kërkuar një kohë më e gjatë për bartjen e tyre, sepse gjatë punës kemi pasur pengesa, të cilat kanë qenë të trashëguara nga e kaluara, për shkak të dëmeve të luftës së fundit, që kanë kërkuar më shumë kohë edhe në procesin e migrimit”, ka thënë Lleshi.

Ai ka premtuar se bartja e numrave që nga fundi i kësaj jave do të përfundojë edhe në Gjakovë, pasi janë kryer rreth 8200 numra nga 8760, sa ka në gjithë komunën. Fushata të njëjta të reklamimit të pakove telefonike, PTK-ja ka bërë edhe në dy qytete të tjera, në Mitrovicë dhe Pejë.

Marrë nga Koha Ditore