Prezantohet projekti për autostradën Prishtinë-Shkup

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, me rastin e pranimit të projektit të detajuar final të autostradës Prishtinë-Shkup, nga kompania e njohur franceze “Egis BCEOM Internationale”, e ka vlerësuar si projekt shumë të rëndësishëm, që do të lidh Kosovën me shumë shtetet e rajonit.

Autostrada Prishtinë- Shkup do të jetë e gjatë 55 kilometra, ndërsa ndërtimi i saj planifikohet të bëhet përmes partneritetit publiko-privat.

Me këtë rast ministri Limaj ka thënë se realizimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup është planifikuar me standarde më të larta ndërkombëtare.

Drejtori i “Egis BCEOM Internationale“ që ka bërë këtë projekt, Gilles Pequeux ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe shtyllë kryesore për zhvillimin ekonomik.

“Ne jemi ne mesin e kompanive më të mira për infrastrukturë në botë dhe kemi ndërtuar një pjesë të madhe të autostradave në Francë. Ne jemi të kënaqur që jemi përfshirë në këtë projekt, i cili do të jetë shtyllë kryesore ekonomike për Kosovën dhe rajonin”, ka thënë ai.

I gjithë projekti kalon në një trase krejtësisht të re, duke ruajtur trasenë ekzistuese.

Autostrada do të ketë tri tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2.2 km.

ECIKS