Përzgjidhet grupi i dytë i konsulentëve për termocentralin “Kosova e Re"

28 gusht 2011 – Ministria për Zhvillim Ekonomik ka parakualifikuar tri konsorciume, të cilat do të jenë pjesë e garës për këshilltarë të transaksionit në projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Tri konsorciume të kryesuara nga kompanitë, “Ernst & Young” nga Polonia, “Pricewaterhouse Coopers” nga Anglia, si dhe “Raiffeisen Investment” nga Austria, do të jenë pjesë e garës për të lidhur kontratë me Qeverinë e Kosovës.

Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, sipas linjave buxhetore, i ka të ndara 700 mijë euro për shërbime konsulente. Kontratën me ndërtuesin e termocentralit Qeveria e Kosovës planifikon ta lidhë brenda vitit 2012.

“Synimi i detyrës është që konsulenti të ndihmojë autoritetin kontraktues për të arritur, jo më vonë sesa 31 dhjetor 2012, përmbylljen financiare të transaksionit të termocentralit “Kosova e Re” me një investitor nga sektori privat të zgjedhur në mënyrë konkurruese, si dhe bartjen efektive të aseteve tek ai investitor, në përputhje me marrëveshjet që do të ekzekutohen nga ai investitor“, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik.

Koha Ditore