Lambsdorf: Statusi nuk është pengesë për investime

Prishtinë, 22 shtator 2004 – Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorf, tha se Kosova është një vend shumë i veçantë, por mosdefinimi i statusit të saj nuk është pengesë për joshjen e investimeve të huaja. Sipas tij, çështja e joshjes së investirorëve nuk ka të bëjë me zgjidhjen e statusit përfundimtar. “Jam i sigurt që mungesa e statusit të Kosovës nuk do të jetë pengesë e gjetjes së investitorëve”, u shpreh shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, duke shtuar se në Kosovë ka mjaft investitorë potencialë nga vende të ndryshme. Këto komente, Nikolaus Llambsdorf i bëri në seminarin për nxitjen e investimeve në sektorin e energjisë, që u mbajt sot në Prishtinë.

Pjesëmarrësit e seminarit theksuan nevojën e ndërtimit të një termocentrali dhe të nje miniere të thëngjillit në Kosovë. “Unë mendoj se në Kosovë mund të hapet një minierë e re e linjitit dhe të ndërtohet një termocentral i ri. Natyrisht, janë disa çështje ligjore që jemi duke i shqyrtuar, por, në përgjithësi, mendoj se për këtë nuk do të ketë probleme”, tha Lambsdorf.

Udhëheqësja e Zyrës për Energjetikë të kryeministrit, Pranvera Dobruna, tha se kjo zyrë është e përkushtuar për të përmirësuar legjislacionin eksiztues në këtë fushë, me qëllim të nxitjes së investitorëve të huaj. Në bazë të kërkesave të Komisionit Evropian ky legjislacion duhet të përfundojë brenda 1 viti. Seminari mbi kornizën ligjore dhe institucionale për investime në sektorin e energjisë në Kosovë, u organizua me përkrahjen e Bankës Botërore, me qëllim që të bëhet identifikimi i pengesave të legjislacionit ekzistues për thithjen e investimeve të huaja në sektorin e energjisë në Kosovë.

ECIKS / Radio21