Kosova dhe Serbia, në luftë të fshehtë për votat e FMN-së

Prishtinë, 14 prill – Votimi i anëtarëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për pranimin apo jo të Kosovës në njërin nga institucionet kryesore financiare ndërkombëtare ka filluar qysh nga java e kaluar, ndërkohë paralelisht ka filluar edhe lobimi i fshehtë i Kosovës, në njërën anë, dhe i Serbisë, në anën tjetër, tek anëtarët e këtij institucioni. Burimet e “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se Kosova tashmë ka në dispozicion votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e FMN-së, por i duhen të paktën 93 shtete anëtare që të marrin pjesë në votim brenda pesë javësh. Deri më tani Republikën e Kosovës e kanë njohur 57 vende anëtare të këtij fondi.

Zyrtarisht qeveritarët e Kosovës nuk dëshirojnë të flasin për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Kosovës në FMN, siç arsyetohen ata, nga frika se pala serbe do të ecë në të njëjtën rrugë për t’i bindur anëtarët e FMNsë që të mos marrin pjesë në votim. “Edhe Kosova, edhe Serbia, janë duke punuar fshehtë në lobim për arritjen e kuorumit në votimin për anëtarësimin e Kosovës në FMN. Nuk di nëse kjo mënyrë do t’i ndihmojë njërës apo palës tjetër, por e di që Kosova duhet të vazhdojë të punojë shumë për t’i bindur anëtarët e FMN-së që të marrin pjesë në votim që ka filluar të bëhet me anë të letrave”, tha një burim i gazetës i afërt me procesin e anëtarësimit në FMN.

Shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet kanë vota të mjaftueshme për t’i mundësuar Kosovës anëtarësimin. Një mundësi lobimi të drejtpërdrejtë Kosova e ka edhe gjatë takimit të përvitshëm të pranverës të FMN-së që do të mbahet në fund të muajit në Washington. Kosova do të jetë e përfaqësuar nga ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, në cilësinë e vëzhguesit. Zyrtarët e Qeverisë shpresojnë që në gjysmën e parë të këtij viti, Kosova do të jetë pjesë e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Driton Qehaja, i emëruar nga Qeveria për menaxhimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në FMN, ka thënë ditë më parë se ata kanë përgatitur të gjithë kuadrin ligjor, duke ndjekur procedurat që kërkohen për anëtarësim në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ai është i bindur se Kosova në pjesën e parë të këtij viti do të jetë anëtare e FMN-së. “99 për qind jemi të bindur se do të jemi anëtarë të plot të Fondit MN-së”, ka thënë Qehaja. Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e Kosovës do të shfrytëzojnë rastin për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në FMN. Kosovarët do të mundohen të bindin anëtarët e FMN-së të jenë prezentë gjatë votimit për pranimin e Kosovës, ngase rreziku më i madh për mosanëtarësim vjen nga kuorumi që mund të mos bëhet për t’u mbajtur votimi.

Pjesë e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar është edhe Serbia. Menjëherë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim, Serbia pati kërkuar nga këta mekanizma që të mos e shqyrtojnë fare kërkesën e Kosovës për anëtarësim, sepse Kosova nuk njihet si shtet nga shumica e vendeve të botës. Por, përgjigjja e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte se këta mekanizma nuk funksionojnë mbi bazën e ndonjë rregulloreje të Kombeve të Bashkuara. Ato mund ta marrin në shqyrtim kërkesën e Kosovës për aplikim, sepse që nga përfundimi i luftës, Banka Botërore ka ndihmuar me projekte në Kosovë, ndërsa, Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të mbikëqyrë buxhetin e Kosovës.

Koha Ditore