Kosova dhe Mali i Zi do t’i heqin tatimet e dyfishta

Ministri kosovar i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe homologu i tij malazias, Branko Vujovic, janë pajtuar në Podgoricë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, kryesisht në fushën e privatizimit, turizmit, heqjen e taksave të dyfishta etj.

Shala dhe Vujovic janë pajtuar edhe për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e energjisë dhe inicimin e përgatitjes për nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete në fushën e ekonomisë.

Ministri Shala i ka ftuar të gjitha biznese nga Mali i Zi që të investojnë në Kosovë. Ai tha se Kosova ka krijuar kushte të favorshme për investitorë, të cilët janë të mbrojtur me ligje sipas standardeve evropiane.

Me këtë rast ministri Shala, falënderoi homologun e tij për mbështetjen e Republikës së Malit të Zi, sidomos me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore dhe gjithashtu kërkoi mbështetje edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe në Bankën për Zhvillim në Këshillin e Evropës.

ECIKS