KEK-u nis shkyçjen e borxhlinjve të mëdhenj

PRISHTINË, 21 MAJ 2007 – Korporata Energjetike e Kosovës ka filluar të hënën aksionin për shkyçjen e borxhlinjve të mëdhenj. Ekipe të Korporatës Energjetike të Kosovës, të hënën, kanë shkyçur nga rrjeti borxhlinjtë nëpër komunat e Kosovës. Aksioni ka filluar në Komunën e Vitisë, ku janë shkyçur biznese të ndryshme, vlera e borxheve të të cilëve shkon deri në mbi 20 mijë euro.

Zyrtarë të KEK-ut kanë deklaruar se shkyçjet e këtyre borxhlinjve do të vazhdojnë deri në shkyçjen nga sistemi të gjithë borxhlinjve të mëdhenj. Aksionet e shkyçjeve të borxhlinjve janë mbështetur nga forcat e Shërbimit Policor të Kosovës. Zyrtarë të KEK-ut kanë deklaruar që ky aksion ka për qëllim zvogëlimin e humbjeve nga vjedhja dhe nga keqpërdorimi i energjisë elektrike.

“Qëllimi i këtij aksioni është që të ulen humbjet në rrjet për shkak të vjedhjeve dhe keqpërdorimeve”, ka thënë Edmond Nulleshi, zëvendësdrejtor i KEKut, gjersa po përcillte punën e ekipeve të KEK-ut në Viti. Ai shtoi se në ditët në vijim qytetarët do të kenë mundësi më shpesh t’i shohin ekipet e KEK-ut duke bërë shkyçje individuale të borxhlinjve. Në komunën e Vitisë ekipet e KEK-ut kanë shkyçur shtatë biznese të ndryshme, vlera e të cilave shkon deri në 94 mijë e 387 euro.

Bizneset e shkyçura nga rryma kryesisht merren me prodhim të drurit, miellit, por në mesin e të shkyçurve nuk kanë munguar as restorantet dhe motelet. Edhe pse nuk ka ndonjë afat se kur do të përfundojë procesi i shkyçjes, drejtuesit e KEK-ut kanë thënë se aksioni do të vazhdojë derisa të shkyçen të gjithë borxhlinjtë e mëdhenj.

Sipas zëdhënëses së KEK-ut, Donika Kadaj-Bujupi, aksioni i së hënës është vetëm fillimi i një procesi për zvogëlimin e humbjeve të KEK-ut, identifikimin e keqpërdorimeve dhe si rezultat pritet rritja e arkëtimit. Sipas saj ky plan veprimi parasheh që përveç vlerësimit të keqpërdorimeve nga konsumatorët, të bëhet edhe një vlerësim i punës së punëtorëve të KEK-ut.

“Në kuadër të tij plani brenda Divizionit të furnizimit dhe atij të rrjetit janë themeluar grupe Task Force, të cilat fillimisht do të merren me identifikimin dhe punën e punëtorëve të KEK-ut që merren me shkyçje dhe me lexim të njehsorëve”. Ndërsa thotë se ka javë që ka nisur vlerësimi i punëtorëve, zëdhënësja e KEK-ut shtoi se aktualisht nuk mund të flasë për masa të ndërmarra ndaj punëtorëve të KEK-ut.

“Sot ishim në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt, mirëpo ky aksion do të zgjerohet në tërë Kosovën dhe janë formuar një numër i madh ekipesh”, ka thënë zëdhënësja e KEK-ut. Paralelisht me ekipet për shkyçje, KEK-u ka formuar edhe ekipet për rilidhje meqë ka raste të shumta, sidomos tek konsumatorët e mëdhenj që paguajnë borxhin menjëherë pasi të jenë shkyçur nga rrjeti. Borxhet e konsumatorit ndaj KEK-ut janë mbi 250 milionë euro.

ECIKS / Koha Ditore