IPKO NET kryen obligimet financiare

Prishtinë, 22 shkurt 2007 – Pagesën e shumës prej 75 milionë euro, konsorciumi “Telekom Slovenia – Ipko Net”, e bëri të ditur përmes një komunikate, në të cilën thuhet se ashtu siç ishte premtuar, ky konsorcium sot ka kryer obligimin financiar ndaj ART-së dhe Qeverisë se Kosovës.

Lidhur me ankesën e Mobilkom-it austriak, shefi i ART-së Anton Berisha tha se do t’i marrin në shqyrtim të gjitha ankesat. Ndryshe, me dështimin e Kosmocellit për t’i paguar 81 milionë euro, Buxheti i Kosovës është dashur t’i përfitojë rreth 16 milionë euro. Sipas procedurave të tenderit, nëse fituesi dështon të paguajë komplet paratë, do t’i humbin 20% të parave të depozituara si garancion. Por, shefi i ART-së nuk ishte i sigurt a ka garancion bankar për 16 milionë euro të Kosmocell-it, edhe pse sipas rregullave të pakos tenderuese, një gjë e tillë duhet të ekzistoj. Berisha tha se ai nuk është marrë me këtë çështje, por një departament tjetër në kuadër të ART-së. Megjithëkëtë, Anton Berisha u shpreh i gatshëm që Buxheti i Kosovës të mos përfitojë 16 milionë euro, ngase ai nuk është për ndëshkime.

Ndërkohë, gazetat sllovene kanë shprehur dyshimin se Telekom Sllovenia është marrë vesh me Ekrem Llukën që t’ua liroj punën për operator të dytë të telefonisë mobile. Pronari i kompanisë “Dukagjini”, la të hapur mundësinë, që nesër të deklarohet për këtë çështje.

ECIKS / RTKLIVE