Interesim i madh për telefoninë mobile

Ipko net tashmë ka bërë të ditur se do të jetë pjesë në konkurrim për operatorin e ri të telefonisë mobile, pasi që 75 e aksioneve të saj kanë kaluar në pronësi të Telekomit Slloven. Konkurrimin e kanë konfirmuar edhe kompania Mobikos, por nuk kanë treguar partnerin e tyre.

Prishtinë, 29 tetor 2006 — Dy kompanitë kosovare Ipko net dhe Mobikos tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në tenderin për operator të dytë të telefonisë mobile.

Ipko net, 75 për qind e aksioneve të cilat tashmë i janë shitur Telekomit Slloven, do të jetë pjesëmarrëse në këtë tender, gjithashtu edhe Mobikos, mirëpo këta të fundit nuk janë deklaruar se kush do të jetë partneri i tyre në tenderin për operator të dytë.

“Ne nuk kemi nevojë të krijojmë konzorciume, sepse dihet se tashmë 75 për qind e kompanisë tonë, Ipko net, ka kaluar në pronësi të Telekomit Slloven dhe pjesëmarrjen tonë në tender e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit sllovenë, të cilët kanë deklaruar se ne do të konkurrojmë me emër të Ipkos”, ka deklaruar Akan Ismaili, drejtori i kompanisë Ipko net.

Ndryshe nga Ismaili, drejtori i kompanisë Mobikos, Fatmir Gashi, nuk ka qenë në gjendje të bëjë publik planin e tyre se si do të konkurrojnë në tenderin për operator të dytë të telefonisë mobile.

“Ne, aktualisht, jemi në negociata me 3 apo 4 kompani shumë të fuqishme dhe jemi në fazat përfundimtare të negociatave. Megjithëkëtë kemi marrëveshje që të mos bëjmë publike detajet dhe emrat e kompanive. Sidoqoftë, ne do të marrim pjesë në tender dhe shumë shpejt do të dihet partneri jonë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka deklaruar se kriteret e vëna nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Post – Telekomunikacionit nuk janë të vështira duke përfshirë edhe shumën prej 20 milionë eurove të licencës.

“Unë, personalisht, nuk konsideroj se kjo mundet me qenë ndonjë shumë e lartë duke ditur tregjet ndërkombëtare dhe duke llogaritur se ne si kompani vendore edhe ashtu është dashur të kemi një partneritet me ato ndërkombëtare”, tha drejtori i Mobikos.

Javën e kaluar MTPT ka shpallur tenderin ndërkombëtar për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Paraqitja e dokumenteve nga ana e kompanive të interesuara do të fillojë prej 3 nëntorit dhe do të zgjasë deri më 17 janar të vitit të ardhshëm. Për licencimin e operatorit të dytë të telefonisë mobile është zgjedhur metoda e kombinuar, ankand dhe “Beauty Contest”, apo kriteret që duhet t’i plotësojnë kompanitë konkurruese.

Baza e çmimit të licencës, sipas rregullave të tenderit, do të kushtojë 20 milionë euro, me mundësi rritjeje varësisht se sa janë në gjendje të ofrojnë kompanitë e interesuara. Në këtë tender çmimi bazë i licencës i ofruar nga kompanitë, vlerësohet me 30 për qind të pikëve të përgjithshme të tenderit. Gjithashtu, me 30 për qind të pikëve, sipas rregullave të tenderit, do të vlerësohet aftësia e mbulueshmërisë së territorit të Kosovës si dhe me 20 për qind do të vlerësohet bashkëpunimi me kompanitë vendore. Me nga 10 për qind të pikëve, ndërkaq do vlerësohen lloji i shërbimit dhe përvoja e kompanisë në sektorin e telekomunikacionit.

Licenca e telefonisë mobile përfshinë të drejtën e përdorimit të frekuencave GSM 900/1800 MHz, e cila do të vlejë për një periudhë 15 vjeçare. Megjithatë, është paraparë që deri sa të merret kodi ndërkombëtar për Kosovën, kompania e cila fiton tenderin, ta shfrytëzojë kodin e vendit prej nga vjen, duke pamundësuar kështu që, në start që kompanitë vendore të mund të konkurrojnë individualisht.

Përveç Mobikos dhe kompanisë sllovene Mobitel, për të marrë pjesë në tenderin për operator të dytë mobil në vend ka shprehur interesim edhe kompania norvegjeze Telenor, e cila, muaj më parë, ka blerë për më shumë se 1.5 miliardë euro kompaninë serbe Mobtel. Kjo kompani vlerësohet se ka favore që në start duke llogaritur se ka të instaluar një pjesë të konsiderueshme të antenave dhe se aktualisht mbulon një pjesë të konsiderueshme të territorit me rrjet, që është edhe një kriter në tender.

Pos këtyre edhe kompania France Telekom, AMC, Tele 2 si dhe operatori hungarez Matav, i cili është pjesë e Deutsche Telekom, kanë shprehur gatishmëri për t’u futur në garën për operatorin e ri të telefonisë mobile në Kosovë.

Qeveria e Kosovës tani shpall tenderin për së dyti herë po për operator të dytë të telefonisë mobile, pasi që ajo kishte shpallur tenderin në vitin 2004, në të cilin fitues ishte shpallur atë botë konsorciumi Mobikos-Mobitel, mirëpo qeveria dhe autoritetet ndërkombëtare kanë shprehur dyshimin për shkelje gjatë procedurave të tenderimit dhe kanë anuluar tenderin, duke krijuar shpenzime të panevojshme për vlerësim të procedurave.

Gazeta Express