I zmadhojnë borxhet

Prishtinë, 25 tetor 2007 – Qeveria serbe ka thënë se para gjashtë vjetësh, borxhi i jashtëm i Kosovës ishte 1,7 miliard dollarë, ndërsa pas përpilimit të klubeve parisiene dhe londineze, u pakësua për 500 milionë. Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë mohuar se qeveria e Serbisë paguan rreth 100 mijë euro në ditë për borxhet e jashtme të Kosovës dhe se totali i borxheve të Kosovës është 1.2 ose 1.7 miliardë dollarë.

“Nuk është e vërtetë që Kosova ka borxhe këtë shumë që thotë Serbia, as gjysma e saj nuk është”, tha Behgjet Brajshori, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave. Sipas tij, pagesa e këtyre borxheve duhet shqyrtuar me Serbinë se sa janë dhe si duhet paguar ato. Edhe pakoja e Ahtisarit, shtoi Brajshori, parasheh që borxhet e jashtme të Kosovës duhet të diskutohen me shtetin serb.”Pas statusit Kosova dhe Serbia duhen ulur dhe shqyrtuar çështjen e borxheve të Kosovës”, tha Brajshori.

Safet Gërxhaliu, shef i departamentit për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, tha se nuk është e vërtetë që Kosova ka aq shumë borxh, madje as gjysmën e asaj që thotë Serbia. “Serbia mund t`i fryjë shifrat për shkak se nuk ka pranuar të bisedojë me Kosovën për këtë çështje”, tha Gërxhaliu. Ai tregon se Kosova as që ka marrë pjesë në periudhën e sukcesionit edhe nuk është treguar kurrë se sa ka marrë ky vend. Për këtë çështje, tha Gërxhaliu, as nuk duhet të befasohemi me shifrat e Serbisë për borxhet e Kosovës. Zyrtarë nga qeveria e Kosovës dhe ekspertë vendorë, para një kohe kanë shpjeguar se nëse borxhi është marrë në emër të Kosovës, e që njëkohësisht edhe është investuar në Kosovë, atëherë edhe do ta paguajmë atë borxh. Nëse borxhi është marrë në emër të Kosovës e është investuar në pjesë tjera të Jugosllavisë, Kosova nuk do ta paguajë atë borxh. Mediat serbe kanë alarmuar se qeveria e Serbisë vitet e fundit ka humbur një shumë të madhe parash duke paguar borxhe të Kosovës, me arsyen se juridikisht është pjesë e saj.

Nëse tashmë shteti i Serbisë lufton me të gjitha forcat që Kosova të mbetet në përbërje të saj, ka thënë ekonomisti Mlagjen Kovaqeviq, nga ana tjetër nuk duhet të heqë dorë nga obligimi për të kthyer borxhin ndaj Kosovës. “Konsideroj se qeveria e Serbisë erdhi në përfundim që Kosova është e humbur, se është gjithnjë më e qartë, gjykuar nga pushtetarët e ShBA-ve, se nëse nuk arrihet marrëveshja, Kosova do të jetë e pranuar si shtet i pavarur”, tha ky ekonomist.
Ai shtoi se meqë pala kosovare nuk është e interesuar që të arrihet marrëveshja, shumë qartë mund të lindë epilogu. “Si duket qeveria jonë po përgatitet për situatë të tillë, andaj erdhi kjo iniciativë”, përfundoi njëri ndër ekonomistët me të mëdhenj në Serbi – Mladen Kovacevic.

Borxhet e Kosovës janë prej fillimit të viteve 70 – ta deri në mes të viteve 90 – ta të shekullit të kaluar. Mjetet e kreditit të huaj janë të përfshirë në projekte të elektro-energjetikes, hekurudhave, metalurgjisë, industrinë e automjeteve, telekomunikacionit, ujësjellësit dhe shumë çështjeve tjera.

ECIKS / Gazeta Express