Hungarezë ndërtojnë qytet turistik në Shqipëri

Hungari – Kompania gjigante hungareze e patundshmërive “TriGranit”, planifikon që përmes investimit direkt të ndërtojë një qytet turistik në veriperëndim të Shqipërisë, i cili do të funksionojë si kompleks turistik. Në këtë projekt multimilion eurosh, grupi hungarez do të krijojë një qendër në formë të një qyteti të vogël me hotele, restorante, vila, rrugë, spitale dhe të gjitha shërbimet tjera në breg të detit Adriatik. Ky është projekti i paraqitur virtualisht pa pengesa, që kur Shqipëria ka hequr pagesat për taksa në investime për investitorët e huaj.

Shqipëria me një popullsi prej rreth 3,5 milionë banorë, mund të bëhet edhe më atraktive për investitorët e huaj, derisa viteve të fundit rritja ekonomike është stabilizuar. Në anën tjetër, jostabiliteti politik dhe mungesa e infrastrukturës si çështja e energjisë elektrike, nuk janë inkurajuese. Ndërkaq, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, do të përmirësojë stabilitetin ekonomik dhe do t’i forcojë shtyllat ekonomike. Industria e turizmit në Shqipëri, falë pozitës gjeografike të vendit, plazheve të bukura, majave shkëmbore, lumenjve dhe liqeneve, pa llogaritur rreth 300 ditë me diel në vit, është ngritur për rreth 10 për qind çdo vit. Bazuar në informatat nga sektori i turizmit, në Shqipëri në vitin 2007 janë grumbulluar të hyra rreth 1,5 miliardë euro, apo 13,8 për qind e Bruto Produktit të Brendshëm.

Marrur nga Koha Ditore