Çeku: Kosova pranon sfidën e integrimeve evropiane

Prishtinë, 24 nëntor 2006 – “Qeveria e Kosovës është vetëdijshme se procesi i integrimit evropian është një sfidë e vërtetë, por një sfidë e pranueshme”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në takimin e njëmbëdhjetë të Mekanizmit Përcjellës të Procesit të Stabilizim-Asociimit për Kosovën. Takimi u bashkëkryesua nga kryeministri Agim Çeku, kryeadministratori Joakim Ryker, si dhe Genoveva Ruiz Calavera, nga Komisioni Evropian.

Kryeministri Çeku në fjalën e tij tha : “Qeveria e Kosovës është shumë e vetëdijshme se procesi i integrimit evropian është me të vërtetë një sfidë, një sfidë e pranueshme. Qeveria e sheh agjendën e reformave evropiane në politikë dhe në administratë si një proces udhërrëfyes, i cili do të shpie drejt reformave të brendshme në Kosovë, si dhe drejt ndërtimit të një shoqërie demokratike e funksionale”, tha kryeministri Çeku. PSSP Joachim Rücker theksoi se “gjatë këtyre viteve të qëndrimit tim këtu, unë jam dëshmitar i një dialogu më të intensifikuar dhe më të mirë ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian”. Ndërsa, zonja Ruiz Calavera theksoi se “udhëheqësit si dhe shoqëria kosovare duhet të mbesin të përkushtuar në përmbushjen e standardeve, si rruga më e mirë për të arritur një status të qëndrueshëm në të ardhmen, si dhe për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të gjithë”. Në qendër të bisedimeve ishte raporti i Komisionit Evropian mbi përparimin e Kosovës, i publikuar më 8 nëntor të këtij viti. Komisioni ka vlerësuar përparimin që Kosova ka bërë këtë vit, duke theksuar kalimin e mëtejmë të kompetencave tek IPVQ-të, e veçanërisht krijimin e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe asaj të Punëve të Brendshme. Ndërsa në fushën e ekonomisë është lëvduar hartimi i politikave afatmesme ekonomike dhe i kornizës së parë të shpenzimeve, privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, si dhe koorporatizimi i ndërmarrjeve publike. Komisioni gjithashtu ka vënë në pah fushat ku lipset një përparim shumë më i madh, siç është zhvillimi i mëtejmë i organeve të drejtësisë, si dhe luftimi më efikas i korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit. Përqendrimi i institucioneve të Kosovës në çështjen e statusit nganjëherë ka vonuar disa reforma të rëndësishme, si reformat e gjithanshme në shërbimin civil. Për më tepër pakicat vazhdojnë ende të jetojnë në kushte të vështira. Komisioni theksoi rëndësinë e dialogut dhe të monitorimit të rregullt, siç është theksuar edhe në raportin mbi përparimin e Kosovës. Autoritetet e Kosovës duhet ta përdorin këtë si një standard themelor në përpjekjet për të forcuar qeverisjen e mirë. IPVQ-të u zotuan se do të punojnë në mënyrë energjike në çështjet e identifikuara në raport dhe në përmbushjen e prioriteteve të Partneritetit Evropian. Komisioni Evropian do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Kosovës. Ndihma financiare e BE-së për Kosovën në vitin 2006 kap shumën prej 59.5 milionë eurosh, ndihmë kjo e cila do të rritet edhe më me instrumentin për ndihmë të para-hyrjes, i cili do të aplikohet që nga viti 2007. Të gjitha palët shprehën kënaqësinë e tyre me takimin konstruktiv, dhe nënvizuan se do të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku në ruajtjen e përparimit që Kosova ka bërë në agjendën e saj evropiane, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar nga Zyra për informim e Komisionit Evropian, në Prishtinë.

RTK / ECIKS