Burokracia tremb investitorët në hidroenergji

Burokracia vazhdon të jetë një nga pengesat për investitorët e huaj. Këtë hall e kanë edhe investitorët potencialë në ndërtimin e hidrocentraleve, të cilët parapëlqejnë të mos investojnë në Kosovë shkaku i procedurave të stërzgjatura dhe numrit të madh të licencave që nevojiten për ndërtimin e hidrocentraleve. Kjo është njëra nga arsyet zyrtare për mungesën e investime në këtë sektor. Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Daradan Gashi, ka pranuar se ka pasur raste kur investitorët janë larguar për shkak të numrit të madh të licencave dhe lejeve të nevojshme për ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

“Procedurat janë të stërzgjatura, pasi investitorët duhet të marrin licenca e leje në ZRRE, e pastaj të vijnë edhe tek ne për një numër të lejeve. Kjo ka bërë që të humbin edhe investitorët”, ka thënë Gashi. Energjia e prodhuar nga uji, në Kosovë, mund të kapë kapacitetin e 450 megavateve.

Megjithatë, sipas tij, një investitor i jashtëm shumë shpejt pritet t’i përfundojë të gjitha procedurat e të nisë me ndërtimin e një hidrocentrali në Dukagjin me kapacitet prej 105 megavateve.

Deri më tani nuk është iniciuar asnjë studim nga Qeveria e Kosovës për të parë mundësitë alternative të prodhimit të energjisë, përveç asaj që prodhohet nga linjti.

Momentalisht kapacitetet e instaluara të energjisë nga uji janë 45.9 megavat. Në këtë total më se shumti kontribuon hidrocentrali me kapacitet të instaluar prej 35 megavatesh. Ai pasohet nga Lumbardhi me 8.8, Radavci me 0.28, Burimi me 0.48 dhe HC Dikanca me 1.34 megavat.

Në bazë të studimit të bërë nga Universiteti Berkeley, në Kosovë mund të prodhohen deri në 450 megavat nga uji. Në opsionin më pesimist ky studim konstaton se mund të prodhohen 62.7 megavat nga hidrocentralet e vogla dhe 305 në Hidrocentralin e Zhurit.

/Koha/