Bruksel: Publikohet projekti "E ardhmja evropiane e Kosovës"

Prishtinë, 20 prill 2005 – Komisioni Evropian ka publikuar projektin “ E ardhmja evropiane e Kosovës”, duke dëshmuar në këtë mënyrë se Kosova nuk do të mbetet jashtë integrimeve evropiane. Oli Rehn, komisari për zgjerim, i cili prezantoi dokumentin, ka deklaruar se “është tejet e rëndësishme që Kosova të mos lihet anash, përderisa fqinjët e saj kanë nisë të ecin drejt Evropës”.

Ky projekti i qaset më shumë aspektit ekonomik. Në projekt thuhet se “problemet ekonomike të Kosovës nuk mund të presin deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar”. Për sa i përket aspektit politik, në dokument kërkohet qasje konstruktive e Beogradit në çështjen e Kosovës.

Ndërsa në konferencë për media, të organizuar me rastin e prezantimit, një qasje konstruktive u kërkua edhe nga ana e Prishtinës.

Duke kërkuar “gatishmëri serioze të Prishtinës dhe Beogradit për nisjen e një dialogu konstruktiv”, komisari Oli rehn vlerësoi se ftesa e fundit e kryetarit serb Boris Tadiq, dërguar homologut të tij kosovar Ibrahim Rugovës, “është lëvizje pozitive”.
“Kërkoj nga kryetari Rugova që këtë ftesë ta kuptojë seriozisht dhe të pranojë ofertën për biseda”, porositi Oli Rehn.

Komisioni evropian në shkurt të këtij viti ka marrë mandat nga Këshilli i Ministrave për të përpiluar këtë projekt. U paralajmërua se do të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë i të gjitha institucioneve evropiane për të kontribuar në implementimin e standardeve si dhe në proceset që do të pasojnë pas shqyrtimit të tyre. Ndihma financiare e BE-së në Kosovë nga viti 1999 deri më sot, arrin vlerën prej 1.6 miliardë euro.

ECIKS / RTKLive