Bien eksportet për tremujorin e parë

Prishtinë, 13 qershor 2005 – Për tremujorin e parë të këtij viti Kosova realizoi eksporte në shumën e 12 milionë eurove, të cilat dominoheshin nga eksporti i mbeturinave të metaleve në masën 47 për qind, ndërkohë që importet në këtë tremujor ishin 232 milionë euro apo 21 për qind më shumë se vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, pohojnë burime në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave

Në bazë të shifrave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, nga eksporti i pakët prej 12 milionë eurosh, gjatë tre muajve të parë të vitit rreth 50 për qind prej tyre janë mbeturina metalesh.

“Eksporti i mallrave në këtë periudhë ishte në një vlerë prej 12,1 milionë eurosh apo një rritje prej 35 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ka ndryshime pozitive në strukturën e mallrave të eksportuara, por baza mbetet e ulët për mallrat e eksportuara”, thuhet në publikimin e MEF. Sipas po këtij publikimi, nga 12 milionë euro që ishin eksportet e Kosovës në tremujorin e parë të këtij viti, ato dominohen nga eksporti i mbeturinave të metaleve në masën 47 për qind. Pjesën tjetër e përbëjnë prodhimet ushqimore me 19 për qind, prodhimet nga plastika dhe druri 18 për qind dhe 16 për qind janë klasifikuara si të tjera. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, thotë se Kosova po përballet me mungesë eksportesh. “Nuk kemi shumë produkte për eksport, por edhe ato pak që mund të eksportohen nuk janë të standardizuara,” tha Kastrati. Sipas tij, duhet që të gjitha strukturat në Kosovë të punojnë me qëllim të rritjes së produkteve për eksport. “Duhet bërë marrëveshje për tregti të lirë me të gjitha vendet e rajonit,” ka pohuar ai.

Kosova ka marrëveshje vetëm me Shqipërinë, por ajo është duke u shfrytëzuar fare pak. Kryetari i OEK, Kastrati, vijoi duke thënë se shkak që mundësitë që krijon marrëveshja me Shqipërinë nuk shfrytëzohen është problemi i transportit dhe rrugëve të këqija të komunikimit mes dy vendeve.

Ndërkohë që eksportet shënuan vetëm 12 milionë euro dhe gjysma e tyre mbeturina të metaleve importet nuk njohin zvogëlim, por përkundrazi vazhdojnë të rriten me ritme të larta. Importet në këtë tremujor ishin 232 milionë euro apo 21 për qind më shumë se vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, pohojnë burime në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.
Produktet ushqimore, sipas të dhënave nga kjo ministri, zënë 26 për qind të totalit të importeve, por krahasuar me një vit më parë ka një rënie prej 8 për qind në importin e produkteve ushqimore. Pas ushqimeve, vendin më të rëndësishëm në importe e zënë prodhimet nga plastika, druri dhe kimikatet në masën 20 për qind, krahasuar me një vit më parë ka rritje prej 4 për qind. Pozitiv paraqitet importi i makinerive, të cilat shënojnë një rritje prej 2 për qindësh ose 17 për qind të totalit të importeve. Produktet e importuara minerare janë në masën 15 për qind, ato të metaleve 7 për qind, materiale ndërtimi 4 për qind etj.

ECIKS / Biznesi