BB do të fillojë me katër projekte të reja në Kosovë

Prishtinë, 2O prill – Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Kanthar Shankar, në një takim me kryeministrin Bajram Kosumi, ka premtuar vazhdimin e ndihmës për Kosovën. Sipas tij, Banka Botërore do të fillojë me katër projekte të reja, ndërkaq vetëm për energjetikën do të ndahen 10 milionë euro, kurse projektet e tjera do të fokusohen në investime për pajisje teknike.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore theksoi se deri më tani kjo bankë ka ndihmuar Kosovën me 95 milionë dollarë dhe se kjo ndihmë do të vazhdojë.

“Banka ka financuar Kosovën me një ndihmë me rreth 95 milionë dollarë që nga fillimi i përfshirjes sime këtu dhe do të vazhdojmë me investime dhe ndihmë teknike”.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri tha se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e kanë mirëpritur këtë ndihmë, duke veçuar disa projekte. “Janë disa projekte të cilat kanë të bëjnë me energjinë, ai për programe të investimeve publike dhe disa projekte të cilat nuk janë definitive, por janë në propozim që mendohet të rrumbullakësohet procedura e miratimit të tyre nga organet e Bankës me seli në Uashington”.

Mirëpo Shatri tha se Kosova ende nuk mund të përfitojë kredi për shkak se nuk e ka të përcaktuar çështjen e statusit.

ECIKS / QIK