Autostrada Prishtinë-Durrës kushton 400 milion euro

Prishtinë, 7 qershor 2004 – Rreth 400 milionë euro është vlera e ndërtimit të autostradës Prishtinë -Durrës me katër vija kalimi, u tha të shtunën gjatë takimit mes ministrit të Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës Zef Morina dhe homologut të tij nga Shqipëria Spartak Poçi. Ata gjithashtu diskutuan për zhvillimin e infrastrukturës në të të dy vendet, sidomos ndërtimin e autostradës, e cila do të lidhë Kosovën me Shqipërinë.

“Ky do të jetë një korridor të cilin ne duam ta certifikojmë si evropian, dhe se bashku me z. Morina në Luksemburg do ta fusim në dokumentin e progarmit të Rebis. Kemi biseduar për mundësinë e lidhjes përmes hekurudhave dhe për komitetin teknik që do të organizohet në Tiranë, i cili do t’i shqyrtojë të gjitha problemet që janë në fushën e transportit të të dy vendeve”, tha ministri Poçi.

Ministri Morina njoftoi rreth përgatitjeve që janë duke u bërë nga Vërmica në Merdar, projekt ky që do të fillojë të realizohet vitin e ardhshëm.

Këto ditë ministrat Morina e Poçi do të qëndrojnë në Luksemburg për të certifikuar autostradën Prishtinë – Durrës në dokumentin evropian të programit Rebis.

ECIKS / QIK