“Kosova e Re” do të ketë maksimumin 1000 megavat-orë

Prishtinë – Komiteti Drejtues i projektit “Kosova e Re”, ka vendosur të hënën përfundimisht që termocentrali i ri të ketë maksimum 1000 megavat-orë, ndërkaq do të ndryshojnë edhe pjesë të tjera të këtij projekti, ka bërë të ditur pas takimit të këtij komiteti, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministrat e tjerë të Qeverisë së Kosovës dhe kryesues të rregullatorëve të pavarur për miniera dhe energji.

“Është vendosur që kapacitetet e termocentralit të ri të mos tejkalojnë 1000 megavat-orë, dhe që ato të ndërtohen në bazë të modelit 500 plus 500, apo 330 plus 330 plus 330”, ka thënë Pula.

Sipas saj, tenderi për “Kosovën e Re” do të shpallet këtë vit dhe jo në vitin 2010, siç është thënë më parë. Po ashtu sipas Pulës, do të ndryshojë edhe koncepti për dhënien me koncesion të minierës së Sibovcit.

Në fillim të javës së ardhshme, më 17 nëntor 2009, do të mbahet takimi i radhës i Komitetit Drejtues në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Bankës Botërore, USAID-it, Komisionit Evropian dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë proces.

Koha Ditore