Prishtinë, 24 nëntor 2005 – Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me GTZ-në Gjermane sot kanë organizuar seminarin “Tregu ndërkombëtar i verës”. “Kosova është para sfidave të mëdha për të prosperuar në tregun evropian dhe së shpejti do të kemi një sukses të tillë”, tha me këtë rast zëvendësministri i Bujqësisë, Tomë Hajdari.
Ai po ashtu vlerësoi, angazhimin e GTZ-së gjermane, për mbështetje të vazhdueshme me projekte dhe mjete konkrete siç është laboratori për vlerësim të cilësisë së verës që së shpejti vendi ynë do ta këtë. “Ne kemi përpiluar një projekt ideor dhe e kemi dërguar konform rregullave të cilat i parasheh tregu i BE-së dhe kemi marrë një mbështetje jo teorike po tash praktike nga GTZ-ja. E dini që na mungon një laborator për mos të thënë enti dhe instituti në të ardhmen por nga biseda që kemi pasur dje me përfaqësuesit nga GTZ-ja ne tani mund ta konfirmojmë se së shpejti do ta kemi laboratorin” .Ndërkaq, Piter Ferlin, drejtor i përfaqësisë së GTZ-së për Kosovë tha GTZ-ja ka organizuar këtë seminar duke e ditur se tregu ndërkombëtar i verës është një treg shumë i madh por edhe shumë i vështirë.
Kosova ka një traditë të vjetër në prodhimin e verërave dhe gjithsesi ekzistojnë lidhje historike sa i përket Kosovës me Gjermaninë. Sot do të shikojmë se çfarë janë shanset e Kosovës sa i përket tregut përkatësisht pjesës së saj në tregun botëror të verës. “Shpresoj se ky organizim si pikënisje apo si hap i parë do të jetë në vazhdimësi edhe për sa i përket diskutimit në mes të sektorit privat dhe publik dhe shpresoj se do të vazhdoj edhe me tutje”. Eksperti gjerman, Herman Reskagel, tha se me rëndësi për kosovaret është depërtimi i tyre në tregun evropian.
ECIKS / RTK