Prishtinë, 27 prill 2005 – Zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit hapën sot në Prishtinë ofertat e rrethit të parë për privatizimin e Kompleksit “Ferronikeli” të Drenasit, të tenderuar me spin-off special. Në këtë rreth u kualifikuan dy ofertues, që siç merret vesh, janë konzorciume ndërkombëtare. Ofertuesi i parë ofroi 27.4 milion euro, ndërsa i dyti 22.4 milion euro. Të dy ofertuesit kanë ofruar nga 20 milionë euro investime të garantuara dhe nga njëmijë vende pune. Sipas zyrtarëve të AKM-së, rrethi i dytë i ofertimit do të zhvillohet me 11 maj.
Nga katër ofertues që janë kualifikuar në fazën e parakualifikimit, vetëm dy janë paraqitur sot në ditën e parë të ofertimit për kompleksin “Ferronikeli’ të Drenasit, të tenderuar me spin-off special. Tërheqja e dy ofertuesve është shqetësuese, dhe tregon se çfarë imazhi ka Kosova në rajon, imazh të cilin do të tentojmë ta përmirësojmë, u shpreh zëvendësdrejtori i AKM-së Ahmet Shala. Në këtë rreth janë paraqitur dy ofertues: i pari me shifër PF011, ka ofruar çmimin 27.4 milionë euro, 20 milionë euro investime të garantuara dhe 1000 të punësuar. Ndërkaq, ofertuesi i dytë me shifrën PF012, ka ofruar 22.4 milionë euro, 20 milionë euro investime të garantuara dhe 1000 vende pune. Këto oferta janë mjaft serioze tha Shala.
Rrethi i dytë i ofertimit për kompleksin “Ferronikeli”, do të zhvillohet me 11 maj të këtij viti.
Spin-offi special është njëra ndër metodat përmes së cilës AKM-ja e bën privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, në bazë të së cilës blerësit e ndërmarrjeve duhet të paraqesin planin e biznesit, shumën e investimeve të planifikuara dhe numrin e të punësuarve.
ECIKS / RTKLive