Prishtinë, 7 nëntor 2005 – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë sot bëri prezantimin e dy Udhëzimeve Administrative për Agjencitë Turistike dhe për kushtet minimale – teknike të ofrimit të shërbimeve. Në takimin, ku morën pjesë përfaqësues të Agjencive të ndryshme turistike dhe hoteliere në vend u tha se përmes këtyre udhëzimeve ministria është duke bërë përpjekje për krijimin e një klime sa më të qartë për funksionimin e këtyre agjencive në Kosovë.
Në bazë të Ligjit mbi Veprimtaritë Hoteliere dhe Turistike në Kosovë, të gjitha Agjencitë e udhëtimeve, që ushtrojnë aktivitet brenda territorit të Kosovës, janë të obliguara që deri më datën 3 shkurt të vitit 2006 të licencohen, bëri të ditur Hysen Sogojeva nga Departamenti i Turizmit dhe Hotelerisë, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili bëri prezantimin e dy Urdhëresave Administrative, të cilat siç tha ai ndihmojnë shumë në implementimin e këtij Ligji: “Në këto Udhëzime Administrative, janë përcaktuar procedurat e licencimit, dokumentacioni i nevojshëm si dhe sanksionet administrative në rastin e shkeljeve ligjore nga subjektet që merren me veprimtari hoteliere – turistike. Në bazë të këtij udhëzimi është detyrimi për pajisje me licencë. Sipas Ligjit të gjitha Agjencitë duhet të licencohen deri më 3 shkurt të vitit 2006”. Sogojeva tha se kjo licencë është e vlefshme për periudhën dy vjeçare me mundësi të vazhdimit, ndërsa për t’u pajisur me këtë licencë, ushtruesit e këtyre bizneseve duhet t’i plotësojnë disa kritere të cilat vlerësohen nga komisioni i përcaktuar në bazë të kësaj Urdhërese Administrative. Po ashtu me Udhëzimin mbi kushtet minimale-teknike përcaktohen kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë Agjencitë e udhëtimeve, varësisht nga lloji i shërbimeve që ofrojnë, mënyra, si dhe kushtet minimale që duhet t’i plotësoj zyra për llojin e caktuar të agjencisë së udhëtimeve. Ndërsa, për marrjen e licencës Agjencia e udhëtimeve duhet të ketë edhe garanci bankare. Pjesëmarrësit në këtë takim, përfaqësues të Agjencive Turistike në vend, thanë se këto udhëzime administrative duhet të krijojnë mundësi adekuate, për ushtrimin e kësaj veprimtarie, ku duhet të ketë dhe më shumë përgjegjësi ndaj shtetit. Sa i përket përgatitjes profesionale ata ishin të mendimit se përveç drejtuesve të agjencive, nuk duhet te jetë i obligueshëm fakulteti, për punonjësit tjerë. Afati për vërejtje e sugjerime të Agjencive Turistike për Urdhëresat Administrative, është deri më 15 nëntor 2005.
ECIKS / RTK